Kryesore Cilën vaksinë anti-Covid do marrë Shqipëria dhe sa do të jetë çmimi?

Cilën vaksinë anti-Covid do marrë Shqipëria dhe sa do të jetë çmimi?

Shqipëria është duke negociuar me të gjitha kompanitë farmaceutike që do të nxjerrin në treg vaksinën anti-Covid, për të siguruar të gjitha dozat e nevojshme që do të përdoren për vaksinimin falas e që do të nisin nga bluzat e bardha, mësuesit e policët.

“Jemi në fazën ku po bëjmë përpjekje çdo ditë që në radhë të parë të garantojmë vaksinën, duke filluar me vaksinimin e mjekëve, infermierëve, bluzave të bardha, mësuesve, punonjësve të policisë dhe të gjithë me radhë. Kini parasysh që po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vendet për të pasur në dispozicion sasira të caktuara. Por sasia që do të prodhohet nuk do të jetë e gjitha e nevojshme që në ditën e parë, por do të ketë një përshkallëzim. Ajo që ne na duhet është që të mos mbetemi në bisht dhe e dyta, të vëmë në dispozicion vaksinën për këto kategori njerëzish”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Më pas shtoi: “Nuk jemi në avantazhin që janë vendet prodhuese të vaksinës apo vendet e mëdha dhe të fuqishme apo vetë Bashkimi Europian. Kështu që po bëjmë të gjitha përpjekjet për të mos mbetemi jashtë këtij procesi dhe të mos presim. Kjo është sfida jonë.”

Në lidhje me çmimin, Rama sqaroi: “Pastaj e lirë apo e shtrenjtë, kjo është një tjetër temë. Nuk i kemi lënë gjë mangët popullit kur ka qenë puna për gjëra që lidhen me elementët më të rëndësishëm për jetën. Nuk do ta lëmë mangët këtë detyrim, pavarësisht çmimit. Nuk do të thotë se do të marrim vetëm një lloj. Mund të marrim nga të gjitha llojet nëse do të kemi mundësi, siç po bëjnë të tjerët. Asnjë vend, mesa unë po shoh, nuk po fokusohet vetëm te një”.

Si “vaksina e lirë” ekspertët po i referohen vaksinës së Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca, e cila ka rezultuar tepër efektive dhe gjithashtu ka disa avantazhe ndaj vaksinave të tjera. Oxford/AstraZeneca janë bashkuar me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera, ku bën pjesë edhe vendi ynë.