Aktualitet Cili është grupi që sot iu sekuestruan 3 milion euro pasuri, “kapoja”...

Cili është grupi që sot iu sekuestruan 3 milion euro pasuri, “kapoja” u kap në Shkodër

Policia njoftoi sot sekuestrimin e 3 milion eurove prona, të cilat i përkisnin katër personave të arrestuar më parë në Danimarkë si të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mes pronave të sekuestruara është edhe një pulari në Shkodër, ndërkohë që janë listuar edhe dhjetë apartamente në Velipojë.

Aksioni i sotëm vjen pas operacionit në një numër të madh shtetesh te BE-së dhe në Shqipëri në 26 qershor të këtij viti, ku policia kapi një total prej 40 kilogramësh kokainë.

Ndërkohë që policitë e Danimarkës, Suedisë, Belgjikës dhe Holandës arrestonin “ushtarët” e tij, policia shqiptare kapi në Shkodër Astrit Beqirin, e njohur si “koka” e këtij grupi kriminal sipas autoriteteve shqiptare.

Astrit Beqiri u kap në qytetin verior sëbashku me 200 mijë euro, 7 automjete si edhe një pulari në Velipojë. Vlera totale e pronave të sekuestruara në qershor ishte 1.7 milion euro.

Prona të sekuestruara në qershor

7 automjete

Pulari në Velipojë

200 mijë euro

Prona të sekuestruara sot

Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;

10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës;

1 apartament banimi në Shkodër;

14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;

Të gjitha pasuritë e sekuestruara në qershor dhe sot kapin vlerën e 4.7 milion eurove.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon operacioni “Goldfinger“, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni.

Sekuestrohen 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal i 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.

Këta persona janë pjesëtarë të një grupi të madh të strukturuar kriminal për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendet e BE-së dhe një pjesë të parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha.

Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore.

Pasuritë e sekuestruara tashmë administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.

Në vazhdim të operacionit “Goldfinger“, i zhvilluar më datë 26.06.2019, gjatë të cilit u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qëndrore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre.

Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A.D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më datë 26.06.2019, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, Drejtoria Hetimore Qëndrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, evidentoi një sërë pronash të tjera të këtyre personave dhe i kërkoi Gjykatës sekuestron përfundimtare në bazë të ligjit antimafia.

Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë:

Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;

10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës;

1 apartament banimi në Shkodër;

14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;

Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.

Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre.

Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Minsistrisë së Financave.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo personave me të cilët kanë lidhje miqësore dhe shoqërore.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminale i këtyre personave.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të identifikuar pasuri të tjera të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtyre personave dhe i personave të tjerë.