Sport City/ Plan anti-krizë 120 milionësh në janar, por edhe Guardiola nën provim

City/ Plan anti-krizë 120 milionësh në janar, por edhe Guardiola nën provim

I distancuar me nëntë pikë nga Liverpool kryesues në renditje, me titullin e tretë radhazi të Premier League duke u larguar akoma më shumë, Manchester City nuk mund të rrijë duarkryq. Më saktë, drejtuesit janë gati të blejnë lojtarë të tjerë të mëdhenj të futbollit europian. Kjo është arsyeja pse Pep Guardiola tashmë po mendon për kundërmasat e nevojshme, që lidhen direkt me portofolin e Sheikut Mansour. Ky i fundit thirret “nën armë” për të shpenzuar edhe më shumë se ka bërë deri tani, për të garantuar nivelin e ekipit të viteve të fundit .

“Daily Mail” bën me dije se një nga lëvizjet e para të klubit do të jetë rinegociimi i kontratave me disa prej yjeve aktualë; ndërsa hapi tjetër identifikimi i tre lojtarëve të rinj për t’ia shtuar skuadrës aktuale. I pari është padyshim një mbrojtës qendror, për të zëvendësuar Vincent Kompany, i cili u largua nga “qytetarët” në fund të sezonit të kaluar. Po ashtu kërkohen zëvendësues të mundshëm për David Silva dhe Sergio Aguero (spanjolli do të largohet verën e ardhshme, argjentinasi është i destinuar ta ndjekë atë në të ardhmen jo shumë të largët).

Gjithmonë, sipas medias në fjalë angleze, të dy operacionet mund të kushtojnë të paktën 120 milionë euro për pronarët e klubit. Sidoqoftë, kaq nuk është e mjaftueshme, sepse edhe vetë Guardiola do të ishte në shqyrtim. Disa burime sigurojnë se trajneri katalanas ka për qëllim t’i respektojë 18 muajt e mbetur të kontratës aktuale, por kthimi në Spanjë i gruas së tij, Cristina, në fillim të vitit, ka hapur skenarë të papritur.