Sport Conte do muskuj dhe përvojë për mesfushën, synon ish-besnikun e vet te...

Conte do muskuj dhe përvojë për mesfushën, synon ish-besnikun e vet te Chelsea

Dy vjet më parë ishte në çatinë e botës dhe kërkohej nga gjysma së Evropës. Sot, megjithatë, N’Golo Kanté ka humbur pak nga fama ndërkombëtare që kishte fituar kur luante te Leicesteri, te Chelsea me Conten trajner dhe me Francën. Dhe është pikërisht Antonio Conte ai që shpreson ta ritakojë mesfushorin energjik.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, lojtari i bluve të Londrës është shndërruar objektiv kryesor i Interit, që po kërkon një emër të rëndësishëm, i cili do t’i shtonte shumë më tepër përvojë mesfushës. Përtej freskisë se Tonalit, Conte dëshiron të ketë nën urdhrat e tij një lojtar më të gatshëm për të fituar, sikurse është francezi.

29-vjeçari duket gjithnjë e më pak i paprekshëm në Chelsea dhe këtë vit e mbylli sezonin pa mbërritur as 30 paraqitje, për shkak të disa problemeve fizike, që e penguan të kishte vazhdimësi.

Gjithashtu, ne sezonin 2018-2019, në mesfushën me tre të Sarrit, ai shpesh haste vështirësi të mbulonte distancat krah regjisorit Jorginho. Tani Chelsea mund të jetë gati për ta lëshuar.

Në bisedimet mes Interit dhe Chelsea-t mund të përfshihet gjithashtu Emerson Palmieri, përforcimi i preferuar i zikaltërve për krahun e majtë, sikurse njofton këtë herë “Corriere dello Sport”. Ish-lojtari i Romës nuk po e gjen veten nën urdhrat e Lampardit dhe mund të kthehet në Itali.