Sport Conte: Kjo dekadë ka folur shumë për Juven, ne po e ngushtojmë...

Conte: Kjo dekadë ka folur shumë për Juven, ne po e ngushtojmë nga pak hendekun

“Një ndeshje mes dy ekipeve që kanë ambicie të luftojnë për të fituar, për të arritur diçka të rëndësishme. Unë mendoj se çdo ndeshje është e rëndësishme, vlen 3 pikë. Është e pashmangshme që Juve duhet të përfaqësojë një pikë referimi për ne, sepse vitet e fundit ka dominuar në Itali”. Ky gjykim i Antonio Conte vjen në prag të ndeshjes së madhe e të shumëpritur në “San Siro”, kundër bardhezinjve.

Trajneri zikaltër vazhdon: “Juve, favorit për titull? Nuk po veçoj favoritët dhe jo favoritët, thjesht duhet të kemi respekt për një ekip që dëshiron të dominojë për titullin e dhjetë radhazi. Kjo dekadë ka folur kaq shumë për Juven, në vitet e kaluara nuk ka pasur asnjë histori. Sezonin e kaluar e ngushtuam pak hendekun, shpresojmë ta bëjmë edhe këtë vit. Më kujtohen kampionatet e kaluara, në të cilat Juve arratisej 20-25 pikë para të gjithëve, sigurisht që nuk ishte gjë e mirë.

Asnjë skuadër nuk mund të pretendojë se e ka mbushur boshllëkun me Juventusin. Për nëntë vite dominoi dhe operoi në një mënyrë të rëndësishme, gjithashtu arriti të ndryshonte, të merrte lojtarë të rinj dhe me përvojë. Këtë sezon ka shtuar Chiesa, Morata, McKennie, Kulusevski në një ekip fitues. Asnjë rival nuk e ka mbyllur hendekun me Juventusin, do të ishte iluzion të mendohej kështu. Shumë skuadra, si Interi, po bëjnë gjëra të rëndësishme dhe po afrohen. Gjë që nuk është bërë në vitet e kaluara. Ne duhet të vazhdojmë të rritemi në mentalitet dhe zemërim konkurrues, të ndiejmë gjakun në disa ndeshje dhe ta vrasim kundërshtarin. Gjithmonë sportivisht, natyrisht. Ne mund dhe duhet të përmirësohemi”.

A është Vidal në rrezik të dalë jashtë kontrollit kundër ish-skuadrës së tij? “Arturo ka përvojën e duhur për ta përballuar mirë këtë ndeshje. Më pëlqen të them, nuk po flasim për një djalë fillestar, por për një që ka fituar shumë. Jam i sigurt që do ta menaxhojë presionin në mënyrën më të mirë. Është e rëndësishme që rritja jonë të përballet me këtë lloj ndeshjeje, duhet ta përdorim presionin në një mënyrë pozitive. Presioni nuk duhet të rëndojë këmbët dhe trurin tonë”.

Eriksen luajti si “playmaker” në Kupën e Italisë? “Ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum të gjithë skuadrën. Pas Brozovic nuk kemi një lojtar tjetër që mund të luajë atje. Ne po e vendosim Christian atje, duke synuar më të mirën. Ai luajti me ne nga brenda, si një mesfushor sulmues dhe tani po provon këtë pozicion të ri. Të kesh një lojtar që mund të përdoret në pozicione të shumta mund të jetë ende e dobishme për mua dhe për ekipin”.