Sport Conte largon dyshimet: Jam tek Interi për një projekt trevjeçar

Conte largon dyshimet: Jam tek Interi për një projekt trevjeçar

Antonio Conte i gëzohet suksesit që Interi arriti me Torinon (3-1) dhe largon dyshimet mbi të ardhmen e tij si zikaltër.

“Dominuam në çdo aspekt në këtë ndeshje. Ishim të pafat në disa episode. Fakti që edhe Samir Handanovic gaboi tregon veçantinë e këtij momenti. Djemtë, gjithsesi, u treguan të zotë, sepse ai gol mund të kishte vrarë këdo. E ardhmja ime? Kam ardhur këtu për një projekt trevjeçar, por ta çuar skuadrën në nivelet më të larta. Nëse shoqëria është e kënaqur me punën time, dhe mendoj se është, nuk shoh pengesa për të vazhduar.”

Conte më tej ka nënvizuar se disa episode kanë influencuar negativisht në gjykimin për Interin e tij në sfidat e fundit.

“Shpesh, situata të veçanta kanë kompromentuar rezultatin dhe kushtëzuar gjykimin për punën tonë. Pas golit, që mund të na kishte vrarë, djemtë qëndruan me këmbë, luajtën, krijuan dhe shënuan. Jam i kënaqur edhe nga fakti që Godin u zhbllokua.  Është lojtari i 18-të i Interit që shënon. Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë jemi të paparashikueshëm.”

Në lidhje me mosaktivizimin titullar të danezit Eriksen, Conte sqaroi: “Po punon, por duhet të kërkojë që të ruajë një nivel të caktuar. Kemi nevojë për ekuilibra në fushë, ndaj dhe jam i detyruar të bëj disa zgjedhje. Eriksen e ka kuptuar që tek Interi pritshmëritë janë shumë të lartë: sa më në formë të jesh, aq më shumë kërkojnë nga ti. Në Angli është ndryshe, atje të thonë “dëfrehu”.