Sport Costacurta preferon Conte: Mes kandidatëve, është favoriti im

Costacurta preferon Conte: Mes kandidatëve, është favoriti im

I gjithë futbolli italian do ta vuajë shumë mungesën në finalet e Kupës së Botës në Rusi.

Megjithatë, kjo nuk e pengon Alessandro Costacurta që të ketë besim në të ardhmen axurre. Ish-lojtari i Milanit, siç e dimë tani, është në fakt zëvendëskomisionari i emëruar për të zgjedhur trajnerin e ardhshëm të ekipit kombëtar italian.

Costacurta, së bashku me Fabbricini, është në Bratislavë për të përfaqësuar FIGC në Kongresin e UEFA-s.

Prej andej, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, ai pati fjalë të rëndësishme në funksion të zgjedhjes së trajnerit të ri.

Këto janë fjalët e Costacurta dhe qëndrimi i tij: “Unë nuk kam vendosur, por mendoj se është një kandidaturë që mund ta bëjë më mirë këtë punë. E kam fjalën për Antonio Conte, që ka demonstruar tashmë aftësinë për të bërë trajnerin e kombëtares. Ne e kemi parë atë në Kampionatin Europian, të tjerët ende nuk janë sprovuar.

Kjo nuk do të thotë se unë nuk do të jem i kënaqur me Mancinin, apo Ancelottin, por duket se ata duan ta vazhdojnë karrierën jashtë.

Nuk paragjykoj edhe Ranierin, i cili ka pasur një përvojë të vështirë me Greqinë, por pastaj bëri mrekullinë me Leicester. Unë jam duke kërkuar për një trajner”.

Me pak fjalë, lista e kandidatëve është ende e gjatë, por përparësia do t’i jepet trajnerit aktual të Chelsea, i cili mund të përfundojë aventurën e tij në Londër në fund të këtij sezoni.