Sport Coutinho rinovon për 5 vite, më i paguari te Liverpooli

Coutinho rinovon për 5 vite, më i paguari te Liverpooli

Braziliani i Liverpoolit, Philippe Coutinho ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare, me një vlerë prej afro 150 mijë paund në javë, duke e bërë atë lojtarin më të paguar në klubin anglez.

24-vjeçari i “Seleçao”-s iu bashkua “të kuqve” nga Interi në janar të vitit 2014 për një shumë prej 8.5 milionë paund, ndërkohë që tashmë do të qëndrojë në “Anfield Road” deri në vitin 2022.

Deri më tani, Coutinho ka shënuar 34 gola në 163 ndeshje të luajtura me Liverpool.

“Jam shumë i lumtur për të nënshkruar një kontratë të re me këtë klub, të cilit i jam shumë mirënjohës. Do të punoj shumë për ta shlyer besimin e treguar ndaj meje.

Ky është një klub fantastik, një nga klubet më të mëdha në botë. Ne duhet të jemi atje, në mesin e klubeve të tjera të mëdha, duke garuar e rivalizuar për trofe. Ky është një klub futbolli me lojtarë të mëdhenj dhe staf të mrekullueshëm teknik. Liverpool ka gjithçka për të arritur gjëra të mëdha në të ardhmen. Që kur mbërrita këtu me familjen u pritëm krahëhapur nga të gjithë. Ndihemi si në shtëpi në këtë klub, e ndiejmë veten pjesë të këtij qyteti. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për mua, gruan dhe vajzën time. Jam i lumtur! Titujt, mendoj se janë shumë të rëndësishëm. Kur them tituj, dua të nënkuptoj kampionatin.

Premier League është një nga ligat më të mira në botë. Është koha që edhe në Ligën e Kampionëve të luajmë për të fituar, për të luftuar me ekipet më të mira në Europë. Ky është qëllimi im, ky është qëllimi i të gjithëve në këtë klub futbolli”, tha ai për faqen zyrtare të ekipit në internet.

Nga sa mësohet, në kontratën e re të Coutinhos nuk ka një klauzolë për prishjen e parakohshme të saj, ndërsa do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i këtij viti.

Coutinho është përfolur mbi një lëvizje të mundshme te kampionët e Spanjës, Barcelona, por vet ai i mohon këto zëra: “Kam nënshkruar këtë kontratë për të qëndruar këtu edhe për shumë vite të tjera, pasi ky është një nder i madh për mua. Këtu jam pritur me krahët hapur nga kushdo, por edhe nga tifozët që nga dita ime e parë”.

Nënshkrimin e kontratës së re e ka përshëndetur edhe trajneri Jurgen Klopp, i cili thotë se vendimi jep një “mesazh të qartë” nga lojtari. “Është një lajm i mrekullueshëm. Ai është një lojtar klasi dhe e di mirë që mund t’i realizojë ëndrrat dhe ambiciet e tij këtu, me Liverpoolin”, tha Klopp, ekipi i të cilit renditet në vendin e 4-t të Premier League, 10 pikë më pak se Chelsea kryesues.