Kryesore Covid-19, a rrezikon Shqipëria të bëhet si Italia? Flet Ilir Meta

Covid-19, a rrezikon Shqipëria të bëhet si Italia? Flet Ilir Meta

Të mërkurën në mesditë do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi masat që duhen marrë për përballimin e pandemisë Covid–19. Takimi që vjen pas atij të dhjetorit të kaluar është thirrur nga presidenti Ilir Meta, i cili i ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në TVSH tha se mbledhja e këshillit do të jetë e drejtpërdrejtë, jo virtuale.

“Do të bëhet në një ambient të përshtatshëm duke patur në konsideratë situatën e veçantë, respektimin edhe të distancave sociale, por do të jetë një takim i drejtpërdrejtë për shumë arsye”.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm mes institucioneve kreu i shteti tha se është momenti që të vijohet më një plan afatgjatë për Covid–19.

“Tani është momenti për të diskutuar edhe njëherë rreth të gjitha masave që janë marrë por edhe parashikimit, një plan më afatgjatë, në varësi edhe të skenarëve të kësaj pandemie në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Njëkohësisht edhe me skenarët e ndikimit në ekonomi, në jetën sociale, në mënyrë që në çdo aspekt ne të jemi sa më të mbrojtur dhe të dalin nga kjo situatë sa më të mbrojtur dhe me sa më pak pasoja”, theksoi Meta.

Presidenti Meta shtoi se një nga çështjet kryesore të takimit të nesërm do të jetë riatdhesimi i shqiptarëve të mbetur jashtë vendit për shkak të mbylljes së kufijve.

“Ka qenë dhe mbetet shqetësim që në momentin e parë që morëm masat parandaluese me vendet e ndryshme. Është bërë një punë në këtë drejtim në identifikimin e qytetarëve që s’kanë pasur mundësi për t’u rikthyer në vend. Sigurisht që është një çështje e rëndësishme e mbledhjes së nesërme, për të vlerësuar ku jemi apo çfarë masash duhet të marrim. Unë besoj që do të bëhen të gjitha përpjekjet për t’i dhënë zgjidhjen e duhur kësaj çështje. Do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre.” – tha Meta në Përballë.

“Më shumë prioritet epidemiologjisë, në komunizëm është investuar tani s’ka peshën që duhet”

Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se pandemia e koronavirusit kërkon reflektim të veçantë për nivelin e investimeve në sistemin shëndetësor të vendit. Në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, kreu i shtetit këshilloi t’i jepet më shumë peshë sektorit të epidemiologjisë që sipas tij në kohën e komunizmit ka patur jo pakk investime.

“Mendoj që reflektimet do të jenë të shumta por një ndër kryesoret sa i takon sistemit të shëndetësisë është dhënia prioritet e sektorit të epidemiologjisë pasi në sistemin e kaluar për shkak edhe të shumë sëmundjeve të trashëguara dhe që kishim të bënin me një Shqipëri shumë më të prapambetur ka qenë një sistem mjaft i centralizuar ku është investuar jo pak por në kushtet e reja ndoshta s’ka marrë atë peshë që duhet. Sikur e shohim globalizimi nuk ka vetëm disa të mira të përbashkëta, por ka dhe rreziqe të përbashkëta për të cilat duhet të jemi më të përgatitur për të ardhmen. Do të duhet të investojmë më shumë si shtet, si shoqëri në këtë drejtim në mënyrë që të jemi sa më të mbrojtur sa më të përgatitur“, tha Meta në Përballë.

Presidenti përshëndeti angazhimin e të gjitha palëve politike për situatën e krijuar nga Covid-19, por kërkoi edhe më shumë bashkëpunim mes tyre.

“Së pari është pozitive që e gjithë politika është fokusuar tek shëndeti i qytetarëve. Së dyti qeveria ka ndërmarr të gjithë masat e saj që janë bërë publike. Njëkohësisht kemi vënë re që edhe opozita ka qenë mjaft e angazhuar në të gjithë këtë proces edhe në të gjithë këtë sfidë, edhe me propozimet e saj të vazhdueshme. Kemi vënë re që politikanët po japin shëmbullin e respektimit të distancave sociale. Sigurisht është një proces i cili sigurisht ka nevojë edhe për më shumë bashkëpunim edhe për më shumë gjithëpërfshirje, bashkimin e të gjitha energjive pozitive dhe të gjitha kapaciteteve që Shqipëria ka në fushën e shëndetësisë por edhe në fushën e ekonomisë.” – theksoi Meta.

Covid-19, Shqipëria si Italia?!

Meta beson se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të mbajë nën kontroll krizën e koronavirusit, ndryshe nga Italia fqinje që po shënon bilance tragjike. Por në intervistën e dhënë në emisionin Përballë për gazetarin Lutfi Dervishi Meta thekson që situata varet nga disa faktorë.

“Dua të besoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të mbajtur sa më në kontroll këtë krizë. Kjo do të varet shumë nga përsosja e bashkëpunimit në orët që vijnë në ditët që vijnë midis autoriteteve dhe qytetarëve. Pasi ne vërtetë s’kemi mjekësinë aq të zhvilluar sa Italia, po është  e vërtetë gjithashtu që jemi një vend që me organizim më efikas, më të disiplinuar i kemi të gjitha mundësitë që ta mbajmë në kontroll. Ne kemi mundësitë që t’i monitorojmë më mirë të gjithë rastet, jo veç personave pozitiv por edhe gjurmimin e zinxhirit të të infektuarve”, tha Meta në Përballë.

Duke komentuar situatën e krijuar në Itali, Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka respektimi i masave kufizuese.

“Është një dhimbje e madhe për çdo qytetar të Shqipërisë kur shikon lajmet tronditëse nga Italia. Kur shohim situatën në Itali përveç dhimbjes, ndërgjegjësohemi që masat kufizuese duhet t’i respektojmë të gjithë me disiplinë të hekurt dhe shembullore pasi në këto momente veç kjo do na ndihmojë ta mbajmë situatën nën kontroll, të mos vëmë shëndetësinë në vështirësi, përballë sfidave kur shohim se ç’po ndodh në Itali apo Spanjë”, theksoi Meta në Përballë.