Aktualitet COVID-19 godet meshkujt në Shqipëri, vdekshmëria deri më tani 3%, femrat më...

COVID-19 godet meshkujt në Shqipëri, vdekshmëria deri më tani 3%, femrat më imune ndaj virusit

Shifrat zyrtare që raportohen çdo ditë për COVID-19 zbulojnë se femrat janë më imune se meshkujt. Mbi 60 për qind e vdekjeve në Shqipëri dhe në rang global i përkasin gjinisë mashkullore. Rastet e mbyllura deri më tani flasin për vdekshmërinë 3%.

Teksa numri i individëve me COVID-19 në Shqipëri ka kaluar 30 mijë, statistikat e përpunuara nga ISHP tregojnë se në ndarje gjinore numri i femrave të prekura është më i madh se numri i meshkujve.

Në raport ky numër superon lehtë me 52%, por statistikat përmbysen kur bëhet fjalë për fatalitetet. Numri i vdekjeve deri në datën 20 nëntor është 653, nga të cilët 67 për qind janë meshkuj dhe 33 femra.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, deri më date 15 nëntor, janë regjistruar gjithsej 853 persona të vdekur të gjinisë mashkullore dhe 485 të vdekur të gjinisë femërore.

Një prirje e tillë vihet re edhe në vende të tjera, ku Italia ka regjistruar rreth 60 për qind të vdekjeve për gjininë mashkullore. Kjo shifër për Spanjën përllogaritet 59%, për Gjermaninë 58% dhe për Neë Yorkun 69%.

Studiuesit janë munduar të japin një shpjegim për këtë sjellje të diferencuar të gjinive ndaj të njëjtit patogjen dhe shpjegimi më domethënës mbështetet në mënyrën e funksionimit të sistemit imunitar. Disa proteina të sistemit imunitar te angazhuara kundër viruseve sillen në mënyrë të ndryshme në dy gjinitë. Sistemi imunitar i lindur dhe i fituar i femrave konsiderohet me i fortë se ai i meshkujve. Një nga këto ndryshime qëndron në praninë e një proteine të veçantë që quhet receptori i tipit Roll (Roll7).

Ndërkohë sa i përket statistikave të rasteve të mbyllura, deri më tani sipas universitetit John Hopkins, vdekshmëria nga koronavirusi mbërrin në 3 për qind. E thënë ndryshe nga 41 milionë individë të prekur, 1.4 milionë nuk e kanë fituar betejën me sëmundjen.