Aktualitet Ndërroi jetë pasi u prek nga Covid-19, MSH sqaron nëse 21-vjeçarja vuante...

Ndërroi jetë pasi u prek nga Covid-19, MSH sqaron nëse 21-vjeçarja vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese

Shqipëria shënoi edhe viktimën më të re që nga fillimi i pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit humbën jetën 4 persona, mes tyre një vajzë vetëm 21 vjeç.

Pasi u konfirmuar ky fakt, ministria ka dhënë detaje mbi këtë rast.

Sipas MSH, e reja ishte e intubuar prej një jave në reanimacionin e Infektivit kur ajo ka ndërruar jetë, ndërkaq Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ajo vuante nga sindromi metabolik.

Por çfarë është sindroma metabolike?

Sindroma metabolike është e lidhur ngushtë me mbipeshën ose obezitetin dhe pasivitetin. Kjo sindromë është gjithashtu e lidhur me një gjendje të quajtur rezistencë ndaj insulinës. Qelizat nuk i përgjigjen normalisht insulinës, si rezultat nivelet e glukozës në gjak rriten pavarësisht nga përpjekjet e trupit tuaj për të kontrolluar glukozën, duke nxjerrë gjithnjë e më shumë insulinë.

Sindroma metabolike është një grup i gjendjeve – presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë në gjak, yndyrë e tepërt trupore rreth belit, dhe nivelet e larta të kolesterolit ose triglicerideve – që paraqiten së bashku, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit.

Mësohet se, 21-vjeçarja që vuante nga sindroma metabolike dhe ndërroj jetë pas rëndimit të gjendjes së saj nga infektimi me COVID-19, kishte një javë me temperaturë.

Po ashtu, bëhet me dije se gjendja është shumë e rënduar në Spitalin e infektivit, i cili mesa duket i ka përmbushur kapacitetet e tij të pritjes së pacientëve. Mbrëmjen e djeshme, janë kthyer pas disa ambulanca me pacientë të infektuar me COVID, ndërsa mësohet se “Shefqet Ndroqi”, i identifikuar ndryshe si spitali COVID-2, ka hapur dyert për 6 pacientët e parë.

21-vjeçarja është viktima e katërt për shkak të Covid-19. Në 24 orët e fundit, ka ndërruar jetë edhe një 49-vjeçare nga Kruja, si dhe një 56 dhe 67 vjeçare, nga Tirana të tre të intubuar. Kjo çon në 101 numrin e personave që kanë humbur jetën nga koronavirus, ndërsa 3752 persona rezultojnë të infektuar deri tani.