Aktualitet Covid-19, punonjësit e një Call Center në karantinë, pas dyshimeve për një...

Covid-19, punonjësit e një Call Center në karantinë, pas dyshimeve për një të prekur

Pamje nga dizifektimi i nje Call Center. Foto nga faqja në Facebook e Sindikatës Solidariteti.

Sindikata e punonjësve të Call Center njoftoi se pas identifikimit të një personi me Covid-19 në Tiranë, një sektor i një kompanie Call Center u mbyll dhe punëtorët u udhëzuan të vetëkarantinohen.

Nga Vladimir Karaj / BIRN

Sindikata Solidariteti, e cila bën bashkë punëtorë të Call Center në Shqipëri njoftoi të enjten se dhjetëra punëtorë të kompanisë Teleperformancë ishin udhëzuar të karantinohen, pas rezultateve të analizave për Coronavirus të një shtetasi italian që punonte në kompani.

“Dhjetra punëtorëve të kompanisë Teleperformance u është kërkuar të karantinohen nga kjo e fundit për shkak të një rasti të konfirmuar me Covid-19 në njërën nga fushatat e kësaj kompanie”, shkruhet në një njoftim të sindikatës në Facebook. Në njoftim thuhet se mes punonjësve të karantinuar ishte edhe kryetari i Sindikatës Solidariteti, Tonin Preçi.

Preçi në një bisedë telefonike për BIRN tha se ishin udhëzuar të enjten në mëngjes që të mos shkonin në punë, ndërsa ishte mësuar se një nga tre shtetasit italianë që rezultuan pozitivë me Covid-19 në testimet e të mërkurës kishte punuar në një nga sektorët e kompanisë në Tiranë. Kompania Teleperformacë nuk qe e arritshme për koment.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Shëndetësisë i tha BIRN në një mesazh se “Po kryhet hetimi epidemiologjik për rastet e qytetarëve italianë”, por pa sqaruar nëse ishte udhëzuar vetëkarantinimi i punonjësve të kompanisë. BIRN nuk qe në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur akuzat e sindikatës.

Sindikata, e cila ka bërë thirrje më parë që puna në Call Centera të pezullohej ose të transferohej në shtëpi dhe punëtorëve tu garantoheshin pagesat, akuzoi se masat kishin qenë të pamjaftueshme dhe se kjo situatë do dëmto më shumë edhe vetë kompanitë.  “Karantinimi dhe paralizimi i punës, në vend të zhvendosjes së saj në kushtet e shtëpisë, do t’i kushtojë eventualisht më shumë edhe vetë kompanive”, thuhet në deklaratën e sindikatës, ndërsa thuhet se rasti i parë në këtë sektor ka përhapur panik.

Sindikata po ashtu akuzoi qeverinë se nuk ishte e pranishme në këtë sektor dhe se masat e marra për pjesën tjetër të qytetarëve ishin “krejtësisht joproporcionale me ato në sektorët e ekonomisë në të cilët punohet në grupe të mëdha dhe ambiente të mbyllura, siç janë call center-at, fasoneritë, minierat etj”.

Qeveria u kërkoi kompanive që të merrnin masa për të ruajtur distancat mes punëtorëve dhe po ashtu që mjediset të ishin të dezinfektuara. Disa prej kompanive në këtë sektor kanë transferuar punë në shtëpi, por shumica prej tyre vijojnë të punojnë si normalisht, ndërsa punëtorët të cilëve u është ndërprerë puna thanë se nuk e dinin nëse do paguheshin.

Preçi që sqaroi për BIRN se veç udhëzimit për karantinimin nuk kishin asnjë informacion se çfarë do të bëhej për punën. Të njëjtën gjë i tha BIRN, Irdi I. një i ri që tregoi se i ishte kërkuar të mos shkonte në punë pasi kishte rezultuar me temperaturë 37.7 gradë. Irdi tha se nuk kishte pasur më temperaturë, por se i kishin thënë që nuk mund të kthehej në punë, ndërsa nuk kishte asnjë informacion nëse do të paguhej apo jo. Siç gjeti BIRN në një shkrim të mëparshëm shumë punonjës të fasonerive dhe Call Center ishin para detyrimit për të punuar, pasi përndryshe nuk do të paguheshin.

Preçi tha se personi nga Italia që punonte me ta kishte qenë për herë të fundit në punë të mërkurën që kaloi, ndërsa tha se edhe dy italianët e tjerë ishin kontakte të këtij të fundit.