Interi është duke kaluar një moment të artë teksa pas 4 fitoreve radhazi dhe sidomos triumfeve ndaj dy rivalëve direkt si Lazio dhe Milan ka arritur të shkëputet me 4 pikë në krye të Serie A. Por për të frenuar disi entuziazmin dhe euforinë në kampin zikaltër ka menduar COVID-19. Në shtëpinë e Interit janë prekur nga koronavirusi pothuajse të gjithë drejtuesit e klubit me përjashtim të presidentit Steven Zhang që ndodhet në Kinë dhe zëvendëspresidentit Javier Zanetti. Klubi zikaltër bën me dije se dy administratorët e deleguar Beppe Marotta dhe Alessandro Antonello, por edhe drejtori sportiv Piero Ausilio, avokati Angelo Capellini dhe një anë tar i stafit teknik kanë rezultuar pozitivë dhe janë detyruar të qëndrojë për minimalisht 14 ditë në karantinë.
Për momentin të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativë dhe Antonio Conte mund të qëndrojë i qetë. Gjithsesi në skuadër do të ndihet mungesa e treshesh Marotta-Antonello-Ausilio të cilët nuk mungojnë as në seancat stërvitore dhe as në ndeshje dhe kanë qenë tifozët e parë të Interit gjatë periudhës së pandemisë ku stadiumet janë bosh për shkak të mungesës së tifozëve.