Aktualitet Covid-19 shtrihet tek moshat e reja, epidemiologu: Virusi ka të panjohura

Covid-19 shtrihet tek moshat e reja, epidemiologu: Virusi ka të panjohura

Rritja e numrit të infektimeve, por edhe prekja e moshës së re me Covid-19 në vend ka shtuar shqetësimin në popullatë. Epidemiologu Artan Simaku tha për Euronews Albania se gjatë ditëve të fundit vihet re një shtim i rasteve të infektuara me Covid-19 tek moshat e reja.

“Ka një trend në ulje të moshës së prekjes nga Covid-19. Kjo është një nga arsyet pse u bë mësimi online në këto mosha. Virusi ka të panjohura dhe trendi është me rritjen e incidencës në këto mosha”, tha Simaku.

Mjeku tha se virusi mbart shumë të panjohura, ndaj kërkoi nga qytetarët të respektojnë masat kundër Covid-19.

“Kujdesi duhet maksimal dhe është gjëja që ne kemi në dorë. Masa më e rëndësishme është respektimi i rregullave të thjeshta”, shtoi ai.

Ai u ndal edhe tek një shqetësim tjetër, që është ngritur nga një pjesë e qytetarëve sa i takon dyshimeve për riinfektim me Covid-19. Mjeku Simaku thotë se një rast mund të quhet i riinfektuar nëse plotësohen të paktën tri kritere.

“Çështja e riinfektimit është një çështje akoma e paqartë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë komunitetin shkencor. Nuk jemi të sigurt nëse janë riinfektime apo jo, por dyshohet se janë riinfektime. Terminologjia më e saktë është se dyshohet për riinfektim. Që nja rast të quhet riinfektim duhet të plotësojë tri kushte kryesore; ekzaminimi si herën e parë duhet të jetë kryer nga tamponi, personi të jetë negativizuar nga bërja e tamponit të parë dhe të ketë kaluar një periudhë kohe rreth 90 ditë, këto janë tri kriteret kryesore, që një rast të quhet riinfektim”, tha Simaku.

Mjeku epidemiolog tha se në Shqipëri dyshohet për 20 raste riinfektimi.

“Të dyshuar për riinfektimet janë rreth 20 raste. Ne kemi dërguar mostrat në laboratorin e referencës dhe presim rezultatet”, tha Simaku.