Aktualitet Covid-19, Skënder Brataj këshillon qytetarët: Kur duhen përdorur medikamentet

Covid-19, Skënder Brataj këshillon qytetarët: Kur duhen përdorur medikamentet

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur për pandeminë e Covid-19, ku në Shqipëri gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve. Gjatë një interviste me gazetaren, Ilva Tare, në Euronews Albania, Brataj tha se janë shtuar telefonatat e qytetarëve, të cilët vijojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të infektimeve me koronavirus.

“Gjendja është e ngarkuar. Por, për fatin e mirë kemi rritje të numrit të thirrjeve, por jo në ato shifra si dikur. Në ditën e sotme kemi pasur 2000 thirrje. Kjo tregon atë se çfarë ndodhi para katër javësh me hapjen e shkollave dhe këto janë faktorë, që çojnë në shtim të infeksioneve. Në këtë moment akoma virozat e stinës nuk janë shfaqur, janë këto ftohjet e fytit, por dominon gjendja e Covid-19”, u shpreh doktori.

I pyetur se a rrezikon Shqipëria të shkojë drejt një rimbyllje për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19, doktor Brataj tha se për këtë ndikojnë shumë faktorë, por paraprakisht e përjashtoi një skenar të tillë.

“Në këtë moment jo, por nëse rritjet e rasteve vijonë do të këtë shtrëngim masash. Ne duhet të insistojmë në respektimin e masave që janë vënë. Plani i ezaurimit të burimeve njerëzore dhe shtretërve, janë indikatorë që çojnë drejt kësaj mase”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Kombëtare u shpreh se qytetarët nuk duhet të përdorin medikamente mjekësore që në javën e parë të infektimit.

“Të gjithë anti-viralet nuk kanë luajtur rol të rëndësishëm. Nuk ka protokoll të mirëfilltë në të gjithë botën, ka klasë medikamentesh të klasifikuar sipas stadit dhe fazës së sëmundjes. Në javën e parë, pacienti ka temperaturë, ka dhimbje kockash, humbje shijesh, por në këtë periudhë nuk ka pse t’i marrë medikamentet. Ajo që duhet bërë është kontrolli në javën e dytë. Analizat duhen bërë në javën e dytë. Mjekët sigurisht që ua kërkojnë. Në Shqipëri nuk po bëhet asnjë terapi ndryshe nga ajo që po bëjnë vendet e tjera”, tha ai.