Sport “CR600” vs Messi: Preja e preferuar, Sevilla. Synimi? Froni i Serie A

“CR600” vs Messi: Preja e preferuar, Sevilla. Synimi? Froni i Serie A

Pas tentativave të shumta, duhej të vinte minuta e 62-të e takimit të mbrëmjes së të shtunës, Inter-Juventus në “San Siro”, që Cristiano Ronaldo jo vetëm të barazonte rezultatin, por të shënonte golin e tij të 600 sa i përket karrierës në klube, pa përfshirë golat me kombëtaren e Portugalisë.

Në fakt do të kishte ëndërruar një finale Championsi më 1 qershor kundër Lionel Messit, rivalit të përjetshëm të tij, i cili në fakt është edhe pretendenti kryesor për të ngritur kupën “veshëgjatë” për të pestën herë në karrierë, por kjo ëndërr u prish prej Ajaksit të Amsterdamit.

Megjithatë, “CR7” ndoshta mund të kënaqet me faktin që ka mbërritur kuotën e 600 golave ekipore përpara “pleshtit” argjentinas, i cili është ndalur në vetëm 598 të tilla, pas golit të avantazhit ndaj Levantes një ditë më parë, gol që i dha edhe zyrtarisht titullin kampion Barcelonës.

Duke analizuar karrierat e jashtëzakonshme të dy prej futbollistëve më të fortë të botës, kurioziteti lidhet pikërisht me “viktimën e preferuar”. Që të dy, Cristiano dhe Messi, shpërthejnë kur përballë kanë Sevillën. Cristiano ka festuar plot 27 herë ndaj ekipit andaluzian, ndërsa Leo Messi plot 36 herë.

Portugezi fiton përballjen në Champions, me 126 gola të shënuara kundrejt 110 të argjentinasit. Leo Messi është përpara, me 416 gola kundrejt 311, nëse konsiderohet vetëm La Liga, edhe pse “pleshti” ka luajtur për 15 sezone, ndërsa portugezi vetëm 9.

Ronaldo ka realizuar 392 herë me këbën e tij të preferuar, të djathtën, por edhe me këmbën “e dobët” ka shënuar jo pak, por 103 herë. Messi, i cili për shkaqe fizike është ndalur në vetëm 22 gola me kokë (përkundrejt 100 të Cristianos), shënon thuajse 81.7 për qind të rasteve me të majtën, plot 488 herë nga 597 gjuajtje, ndërsa me të djathtën është ndalur në vetëm 85 gola.

Por cili është objektivi i radhës për Cristianon? Klasifikimi i golashënuesve të Serie A! Nëse do t’ia dalë të ngjitet në krye të saj këtë vit, do të bëhej futbollisti i parë në histori që merr kreun e golashënuesve në tri superkampionate, si Premier League, La Liga dhe Serie A.