Sport CR7 si vera; sa më i vjetër, aq më i mirë: Synon...

CR7 si vera; sa më i vjetër, aq më i mirë: Synon dy “Këpuca të Arta”

Vitet kalojnë, por Cristiano Ronaldo mbetet i njëjti, një bomber i vërtetë, që dëshiron të jetë në fushë të gjitha ndeshjet, pa pushuar fare. Me 35 vite mbi supe, ylli portugez nuk ndalet së shënuari për Juventusin. Deri më tani, për vitin 2020, vetëm Lewandowski (21 gola) i tejkalon 20 “rrjetat” e CR7. Ai e filloi vitin duke e barazuar me rekordin e shënimit në 11 ndeshje radhazi të Serie A, mbajtur nga Quagliarella (2018-2019) dhe Batistuta (1993-1994). Pas ndërprejes 3-mujore të futbollit për shkak të pandemisë së Covid-19, Ronaldo është kthyer me bateritë e karikuara mirë. Ai ka shënuar 7 gola në 8 ndeshjet post-Covid.

Goli me penallti, kundër Atalanta (2-2), e ka futur atë plotësisht në garën për “Këpucën e Artë” në Itali. Vetëm Immobile (29 gola) është tashmë para luzitanit (28 gola). Pra, diferenca është e papërfillshme për një bomber si ai, vetëm një gol. Cristiano, gjithashtu, ëndërron edhe të pestën “Këpucë të Artë” në Europë. Ai ende ka gjashtë ndeshje për të luajtur dhe përmirësuar vetveten në drejtim të shënimit të golave. “Stacioni” që duhet të arrijë dhe kalojë është i qartë: 34 golat e Robert Lewandowski. Polaku e ka mbyllur tashmë Bundesligën si kampion dhe golashënuesi më i mirë i saj.

“Historia e gjallë” e Juventusit, Cristiano Ronaldo, zbarkoi në Torino në verën e vitit 2018. Golat e shënuar në total, deri tani, 60 të tillë në 83 ndeshje, e kanë futur atë në “top 25” e shënuesve më të mirë të Juventusit në histori. Padyshim që është larg nga 290 golat e Del Pieros. Ai nuk ka qenë ende “Këpucë e Artë” e Serie A, por që nga zbarkimi i tij aty ka shënuar më shumë se kushdo: 49 gola. Immobile ka 44 gola, Zapata 38, Quagliarella 35.