Sport “CR700”: Rekordet? Nuk i kërkoj, vijnë ato tek unë

“CR700”: Rekordet? Nuk i kërkoj, vijnë ato tek unë

Portugalia nuk arriti të merrte pikë në tansfertë me Ukrainën (u mposht 2-1) e tashmë për ta patur të sigurt kualifikimin i duhet t’i fitojë të dyja ndeshjet e mbetura me Lituaninë dhe Luksemburgun, megjithatë në disfatën me skuadrën e Shevchenkos ka vend edhe për gëzim. Me 11-metërshin që shkurtoi në 2-1 diferencën ndaj Ukrainës, Cristiano Ronaldo kapi shifrën e 700 golave në karrierë si profesionist.

Një statistikë e pabesueshme, që mund ta ëndërrojnë shumë pak futbollistë, aq më tepër që janë shënuar në më pak se 1000 takime, më saktësisht për 974 ndeshje. Tani CR7 mund ta quajmë edhe CR700.

“Nuk e di se sa rekorde kam thyer, por i gëzohem momentit. Rekordet vijnë në mënyrë natyrale, nuk jam unë që i kërkoj, më kërkojnë ato mua. Nuk jam i fiksuar pas tyre. Falënderoj të gjitha ata që më kanë ndihmuar që të arrij këtë objektiv kaq impresionues”, deklaroi ylli portugez pas ndeshjes së humbur me Ukrainën.