Sport Cristiano Ronaldo, makthi i Atlético Madrid

Cristiano Ronaldo, makthi i Atlético Madrid

Juventusi do të jetë të mërkurën mysafir në “Wanda Metropolitano”. Kësaj here, bardhezinjtë do të kenë me vete “vrasësin” e Atletico Madrid, Cristiano Ronaldo. Vetëm Leo Messi i ka shënuar më shumë gola (25) kësaj skuadre në histori. Me 22 gola ndaj “rojiblancos”, ylli portugez i ka të besuarit e Diego Simeone një prej “viktimave” të tij të preferuar. Vetëm Sevilla (27) dhe Getafe (23) kanë pësuar më shumë gola nga CR7, në karrierën e këtij të fundit.

Cristiano Ronaldo është përballur me Atlético Madrid në 31 ndeshje, të gjitha me fanellën e “Los Blancos”, ku ka shënuar 22 gola.

Portugezi ka rezultuar 15 herë fitimtar, është mundur 8 ndeshje dhe ka barazuar 8 të tjera. Nëse e kufizojmë këtë këndvështrim vetëm në Champions, bilanci është negativ për Atletico Madrid, që humbi finalen e vitit 2014 (Cristiano shënoi në fitoren 4-1, në kohën shtesë, në Lisbonë) dhe atë të vitit 2016, në Milano.

Po ashtu, u eliminua në çerekfinale të vitit 2015 dhe në gjysmëfinale të vitit 2017 kundër Ronaldos dhe Real Madridit. Në sezonin e kaluar, në gjysmëfinale, CR7 shënoi një “hat-trick” në ndeshjen e parë, në “Bernabeu” (3-0), duke bërë të pavlefshëm triumfin e mëvonshëm të Atletico Madrid (2-1).

Përveç tripletës së lartpërmendur në gjysmëfinalen e vitit 2017, ai ka shënuar tri “hat-trick” dhe dy dopieta të tjera.