Aktualitet Çuçi: Ëndrra e peshkatarëve bëhet realitet

Çuçi: Ëndrra e peshkatarëve bëhet realitet

Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ka transferuar tek peshkatarët e Durrësit menaxhimin e Portit të ri të Peshkimit, një investim ky i përfunduar pak kohë më parë. Çuçi i tha kreut të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Qemal Beut se:

“Një ëndërr e kahershme e peshkatarëve të Durrësit sot u bë realitet. Porti i ri Peshkimit u transferua tek Organizata e Menaxhimit të Peshkimit. Sot e tutje janë vetë peshkatarët që do të menaxhojnë këtë investim të ri. Përlotja dhe emocionet e Qemal Beut, kryetarit të OMP Durrës, teksa unë po i dorëzoja urdhrin e transferimit dhe marrëveshjen me ministrinë, ishte një moment domethënës për të kuptuar të gjithë se sa i nevojshëm është ky port për ta. Tani do të ketë shërbime më të mira dhe ulje të burokracisë shtetërore. Pasi zgjidhëm problemin e karburantit për peshkimin dhe bëmë zero TVSH-në për 27 zëra doganorë që kanë lidhje me këtë sektor, do të vijojmë mbështetjen me të tjera lehtësi dhe programe zhvillimi. Është një histori suksesi edhe skema mbështetëse e AZHBR për peshkimin e pelagjikëve të vegjël, në masën 20 lekë për/kg e cila solli një rritje të ndjeshme të zënieve të açuges nga anijet shqiptare. Muajin e ardhshëm fillojmë projektin e BE me 1.4 milion € për mbështetje deri në masën 50% për investime në bordin e anijeve të peshkimit. Po kështu në kuadër të projektit me Cooperazione Italiana, do të vijnë në Shqipëri inxhinierë ndërkombëtarë për përgatitjen e projekteve të ndërhyrjeve në port. Urime peshkatarëve të Durrësit. E gëzofshi portin e ri dhe ‘qëllofshi’”.

Ndërkohë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipas Çuçit anijet mbi 12 metra do të pajisen me sistemin e ri blue-box me qëllim që bregdeti të kontrollohet më mirë ndaj peshkimit të paligjshëm.