Aktualitet Dalin detaje/ Si është gjendja e çiftit dhe fëmijës që u aksidentua...

Dalin detaje/ Si është gjendja e çiftit dhe fëmijës që u aksidentua në Tiranë

Mësohen detaje nga gjendja shëndetësore e çiftit Vilma dhe Arjan Konomi, të cilët u goditën nga makina e Ajas Sulejmanit pasditen e së dielës në kryeqytet. Mediat citojnë burime spitali i Traumës që thanë se gjendja aktuale shëndetësore e çiftit të aksidentuar është e stabilizuar.

Tashmë ata ndodhen në një dhomë të spitalit pasi kanë dalë nga reanimacioni. Atyre u është bashkuar edhe vajza e vogël 3-muajshe e cila fatmirësisht nuk pati lëndime, përveç një gërvishtjeje të lehtë pranë syrit.

Sipas mjekëve burrë e grua janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas të njëjtave burime 43-vjeçarja Vilma Konomi është koshiente dhe ka reaguar, por ka disa thyerje në trup ndërsa bashkëshorti 48-vjeçar ka 5 brinjë dhe legenin të thyer.

Ka folur për emisionin “Shqip” edhe Elvis Toçi, i afërm i familjes. Ai tha se fjalët e para të nënës, ishin: “Ku është vajza!”

“Unë sapo erdha nga spitali. Të lënduarit kanë dalë nga reanimacioni. Vilma ishte më rëndë. Sot në mëngjes ka filluar të reagojë, është koshiente. Por sigurisht është e përhumbur, por ka shumë thyerje. Arjani gjithashtu ka shumë 6 brinjë dhe legenin të thyer. E para ishte jeta, këtë fazë e kaluan, edhe pse doktorët nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Ne shpresojmë që ata ia kanë hedhur. Fëmija është gërvishtur te syri, por ende nuk është formuar sepse është vetëm 3 muajsh.

Arjani pati mushkëritë me ujë, u detyruan të hanin mushkëritë, Vilma nuk ishte koshiente. Pyetja e parë që bëri ishte për vajzën: Ku është vajza? Çifti është tani në një dhomë, dhe tani kanë vendosur edhe një krevat për vajzën. Ajo do të jetë një forcë e madhe që ata të bëhen mirë.

Në këtë rast nuk mund të thuash nuk kishte rrugë me sinjalistikë. Aty ishin të gjitha, semafor, vijat e bardha, të gjitha standardet. Çfarë nuk kishte? Vetëm njerëzit që kishin një armë në dorë, që në këtë rast ishte makina, që e përdorën në të gjitha parametrat e palejueshme”, – tha Toçi.