Aktualitet Dallimet mes mafias: Ku ndryshon “Camorra” nga “Cosa Nostra”

Dallimet mes mafias: Ku ndryshon “Camorra” nga “Cosa Nostra”

“Camorra” është një organizim kriminale që është krijuar nga qindra banda, që bashkohen, ndahen dhe bashkohen përsëri, pa asnjë rregull dhe pa asnjë disiplinë. Struktura e saj është e shpërndarë.

Ka raste që strukturohet edhe në mënyrë hierarkike, duke kërkuar të imitojë mafian e fortë siçiliane.

Këtë formë mori sidomos në periudhën kur udhëhiqej nga bosi Rafael Kutolo dhe u quajt “NCO” (“Camorra” e re e organizuar). Më pas pati edhe një përpjekje tjetër, kur drejtohej nga treshja Bardelino-Nuovoleta-Alfieri, tre bosë të fuqishëm. Struktura hierarkike ishte e destinuar të zgjasë pak kohë, në një kontekst historik dhe social shumë më të ndryshëm se ai siçilian.

“Camorra” ka një shpërndarje të tipit konfederativ, duke bërë aleanca sipas interesave të çastit. Me fjalë të tjera, aleanca kur interesat dhe veprimtaritë në një çast të caktuar piqen në grupime të caktuara. Janë gjithashtu të mundshme kundërshtitë mes tyre, lindja e klaneve të reja. “Camorra” e ka selinë kryesore në Kampina, Napoli. Ky organizim ka një strukturë të theksuar horizontale dhe të shpërndarë, duke u formuar nga grupime që bashkohen dhe ndahen lehtësisht nga njëri-tjetri. Aktualisht në të bëjnë pjesë 100 organizime të vogla me rreth 6700 anëtarë.

Nuk ka një komision rajonal apo provincial dhe nuk ka kryer vrasje të tilla si “Cosa Nostra”. “Camorra” ka një kontroll të territorit të ndryshëm nga “Cosa Nostra”. Ajo e zhvillon kontrollin e saj në ekonominë e familjeve dhe klasave sociale më të varfra. Klanet e saj janë shumë të mbuluara, pasi futja në to nuk kërkon rregulla të veçanta. Nuk përdoren rite të karakterit shenjtor. Nga vetë mënyra se si është ndërtuar dhe si vepron, “Camorra” nuk ka reaguar ndaj shtetit si një organizëm alternativ. Nga ana tjetër, pikërisht këto veçori, të konsideruara si dobësi në raport me organizime të tjera kriminale, nuk lejojnë që ajo “të gëzojë” potencën e një padënueshmërie të tillë, të cilën, për shembull, e gëzon “Cosa Nostra”. Për rrjedhojë, ajo ka qenë vazhdimisht më e zbuluar.

Kodi i nderit për anëtarët e “Cosa Nostra”-s

Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin.

Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”.

Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale.

Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta.

Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve. Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të Cosa Nostra-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve.

Jo më pak të rëndësishme janë rregullat që disiplinojnë “rekrutimin” e “burrave të nderit” dhe çështjeve të sjelljes së tyre.

Kërkesat për rekrutim janë: dhuntia e guximit dhe mungesa e mëshirës; një situatë familjare transparente, e mbi të gjitha mungesa e lidhjeve të çdo lloji me policinë.

Prova e guximit nuk u kërkohet atyre personazheve që shërbejnë si përfaqësues. Sipas një shprehjeje të Salvatore Contorno-s, anëtar i penduar i Cosa Nostra-s, këtu bëjnë pjesë “fytyra e pastër” e mafies, pra profesionistët, administratorët publikë, sipërmarrësit, të cilët përgjithësisht nuk përfshihen në veprime kriminale.

Personi që të dhënat e përdorura më lart afrohet me kujdes për t’i testuar disponueshmërinë për t’u bërë pjesë e shoqërisë. Me të marrë pëlqimin, anëtarësimi i rishtarit kryhet në një vend në natyrë. Në prezencën e të paktën tre burrave të familjes, ku do të bëjë pjesë, zhvillohet ceremonia e betimit për besnikëri ndaj Cosa Nostra-s.

Personi në fjalë mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin që përmbyllet me frazën: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë nëse tradhtoj betimin tim”.

Statusi i “burrit të nderit” me t’u përftuar përfundon vetëm në vdekje; mafiozi, cilado qofshin rrethanat e jetës së tij, a kudo të banojë, në Itali a jashtë, mbetet gjithnjë i tillë.

“Burri i nderit”, pasi të ketë mbaruar betimin, fillon të njohë sekretet e Cosa Nostra-s dhe të hyjë në kontakt me anëtarët e tjerë. Vetëm familja Korleone e dhe ajo e Resuttana-s nuk ua kanë bërë të ditur asnjëherë zyrtarisht emrat e anëtarëve të tyre, shefave të familjeve të tjera.

Në çdo rast, njohja e “burrit të nderit” me faktet e Cosa Nostra-s, varet rrënjësisht nga grada që ai do të ketë në organizatë, në kuptimin që sa më lart të jetë aq më të mëdha janë mundësitë që ai të mësojë fakte dhe të hyjë në konkakt me “burra nderi” të familjeve të tjera.

Çdo “burrë nderi” është i detyruar të respektojë “barrën e heshtjes”: nuk mund t’i zbulojë të huajve anëtarësinë e tij në mafia dhe aq më pak sekretet e Cosa Nostra-s; ky është mbase rregulli më i hekurt i Cosa Nostra-s.

Brenda organizatës, llafet e tepërta zakonisht nuk çmohen: qarkullimi i lajmeve është i reduktuar në minimumin e domosdoshëm dhe “burri i nderit” duhet të përmbahet për të mos bërë pyetje të tepërta sepse kjo është shenjë e kuriozitetit të pavend dhe çon në lindjen e dyshimeve ndaj personit në fjalë.

Kur burrat e nderit flasin mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me Cosa Nostra-n kanë detyrim absolut për të thënë të vërtetën dhe kur bëhet fjalë për “burra nderi” të familjeve të ndryshme është mirë që të asistojë në bisedë një i tretë që mund të konfirmojë përmbajtjen e bisedës.

Kush nuk thotë të vërtetën pëson sanksione të rënda që variojnë nga përjashtimi e deri në vdekjen e personit në fjalë.

Këto koncepte janë të një rëndësie themelore për të vlerësuar deklaratat e kryera nga “burrat e nderit”, pra nga anëtarët e Cosa Nostra-s dhe për të interpretuar sjelljet dhe bisedat.

Formula e betimit të “Cosa Nostra”-s

Personi që kërkon të anëtarësohet mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin.

“Betohem se do të respektoj “barrën e heshtjes”. Nuk do të zbuloj para të huajve anëtarësimin tim dhe as sekretet e “Cosa Nostra”-s. Nuk do të bëj pyetje të tepruara dhe nuk do të bëhem kurrë kurioz për asgjë. Do të mjaftohem me ato që di vetë dhe ato që më thoni ju. Do të them gjithmonë të vërtetën për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me “Cosa Nostra”-n. Nuk kam dhe nuk do të kem asnjëherë lidhje me policinë. U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”.