Sport Dani Alves: Juve fiton Champions, por janë supersticiozë

Dani Alves: Juve fiton Champions, por janë supersticiozë

“Juventusi ka një skuadër që mund të fitojë Champions League këtë sezon. Por duhet ta them këtë gjë me zë të ulët, pasi këtu janë supersticiozë dhe nuk duan të thonë para kohe të tilla gjëra”, ka qenë komenti i lëshuar për fansat e tij nga Dani Alves, braziliani që verën e kaluar iu bashkua bardhezinjve.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Abc”, mbrojtësi shpjegon arsyen se përse u largua nga Barcelona për të ardhur në Serinë A, me kampionët e Italisë.

Dani Alves nuk i ka kursyer kritikat në adresë të ish-skuadrës së tij, duke thënë se nuk e donin më.

“Më pëlqejnë njerëzit që më duan. Por nuk dua të qëndroj diku ku nuk më duan më. Gjatë 3 sezoneve të fundit flitej gjithnjë se unë do të largohesha, por asnjë nga drejtuesit nuk erdhi të ma thotë ballë për ballë. Treguan se janë fallco dhe nuk u shprehën aspak mirënjohës, duke mos treguar respekt karshi meje. Më ofruan rinovimin vetëm pasi FIFA bllokoi merkaton e Barcelonës. Unë firmosa, por me një klauzolë, që të largohesha kurdoherë gratis. Ata që janë sot në krye të Barcelonës nuk e kanë idenë se si t’i trajtojnë lojtarët e tyre”, u shpreh Dani Alves, që synon Champions League me Juventusin.