Bota Danimarka formon qeverinë e majtë, zgjedh kryeministren më të re në historinë...

Danimarka formon qeverinë e majtë, zgjedh kryeministren më të re në historinë e vendit

Danimarka u bë vendi i tretë nordik që sivjet ka formuar qeveri të majtë. Kjo pasi liderja socialdemokrate Mette Frederiksen finalizoi kushtet për një qeveri të pakicës njëpartiake, duke e bërë kështu kryeministrja më e re në historinë e vendit.

Megjithëse qeveria e re e majtë nuk ka gjasa të ndryshojë politikën ekonomike të Danimarkës, 41 vjeçarja Frederiksen, ka premtuar të rrisë shpenzimet për mirëqenien pas disa vitesh “kursime”.

Blloku prej pesë partive opozitare të majta, udhëhequr nga Partia Social Demokrate e Frederiksen, fitoi besimin e shumicës në zgjedhjet e 5 qershorit, duke bërë që kreu i qendrës së djathtë, Lars Lokke Rasmussen të japë dorëheqjen si kryeministër.

Të gjitha partitë ranë dakord të zbusin disa masa të ashpra mbi imigracionin, duke përfshirë braktisjen e një plani nga qeveria e mëparshme për të mbajtur “kriminelët e huaj në një ishull të vogël”.

Danezët, ashtu si shumica e qytetarëve të shteteve të tjera nordike, paguajnë taksat më të larta në botë për të mbështetur sistemin e tyre të mirëqenies, duke u fokusuar në politikat për përmirësimin e shëndetit dhe ngritjen e vetëdijes arsimore.