Ekonomi DASH fshikullon Shqipërinë: Ekonomia plot me para të pista

DASH fshikullon Shqipërinë: Ekonomia plot me para të pista

Aspak fjalë të mira për qeverinë shqiptarë në aspekt të pastrimit të parave, ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në një raport të fundit, DASH madje pretendon se para të ardhura nga burime të dyshimta, gjenerohen në ekonominë shqiptare.

“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020.

Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.

Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e remitancave dhe investimeve të ndryshme. Krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën.

Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria regjistroi disa përparime me përdorimin e ligjit të saj të konfiskimit antimafia, duke përfshirë konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur ‘Escobar i Ballkanit’.

Reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave.

Sidoqoftë, këto përpjekje vështirësohen nga sfidat e kapacitetit në institucionet e drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon shtetin e ligjit”, thuhet në raportin e DASH.