Politika DASH: Sanksionet, mjet për të çrrënjosur korrupsionin në Ballkanin Perëndimor

DASH: Sanksionet, mjet për të çrrënjosur korrupsionin në Ballkanin Perëndimor

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price deklaroi se një nga qëllimet e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, është të punojë me qeveritë e këtyre vendeve për çrrënjosur korrupsionin.

Sipas tij, sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin, thuhet në deklaratën e DASH-it.

“Pra, një nga qëllimet tona kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor është të punojmë me qeveritë dhe të punojmë me njerëzit për të synuar, për të hequr dhe çrrënjosur korrupsionin. Dhe sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për ta bërë këtë”, u shpreh ai.

Price foli edhe për ndikimet e huaja në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se është një “rajon dinamik” që është tërheqës për botën, përfshirë Kinën dhe Rusinë.

Ditën e djeshme, Departamenti amerikan i Thesarit i ka vënë sanksione Prokurores së Shtetit në Bosnje-Hercegovinë, Diana Kajmakoviç.

“Diana Kajmakoviç është duke cenuar vazhdimisht demokracinë dhe sundimin e ligjit në Bosnje-Hercegovinë”, tha Brian Nelson, nënsekretar për Kundërterrorizëm dhe Inteligjencë Financiare në Departamentin amerikan të Thesarit.