Politika Dash Shehi: Enver Hoxha kishte të drejtë në mendjen e shqiptarëve

Dash Shehi: Enver Hoxha kishte të drejtë në mendjen e shqiptarëve

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi krahasoi kryeministrin Rama me ish-diktatorin Enver Hoxha. Ai tha se opozitës nuk i ka ngelur rrugë tjetër përveç protestave.

Mes të tjerash, aleati i kryedemokratit Lulzim Basha, hoqi dhe një paralele mes ish-diktatorit Enver Hoxha dhe kryeministrit Rama.

“Këtu Enver Hoxha pati të drejtë për 45 vjet në mendjen e shqiptarëve. Pati aq të drejtë, sa kur vdiq gjysma e shqiptarëve u shkarravitën duke qarë. Unë gjykoj që një pjesë e mirë e shqiptarëve ndoshta jo të gjithë e kanë kuptuar se kush i udhëheq, se ku po shkojnë paratë e veta, si abuzohet mbi ato dhe gjithë shtetin shqiptar. Gjykoj se i ka ardhur dita që të reflektojnë dhe të rebelohen, të dalin në rrugë, sepse kjo është e vetmja rrugë që na ka mbetur, jo se e duam këtë rrugë. Ikëm sepse mendojmë sepse arma parlamentare ishte dobësuar dhe ishte thyer ajo maja sa nuk vlente më”, tha ai në ‘Ora News”.

Shehi u tregua modest, kur tha se në opozitë qytetarët nuk do të gjejnë engjëjt, por theksoi se aty do të gjejnë njerëz të thjeshtë dhe burra shteti.

“Të dalin në radhë të parë qytetarët e Tiranës. Nëse janë mërzitur nga ky njeri le të dalin. E di që nga pala opozitare nuk ka engjëj që ndrisin, ka qytetarë normalë dhe politikanë normalë. Shqipëria nuk ka më nevojë për heronj, ka nevojë për burra shteti normalë, njerëz të ndershëm, të zbatojnë ligjet, që mbajnë premtime. Kaq! Nuk kemi nevojë për gjë tjetër. Kështu që dhe ata mos mundohen të gjejnë atje te tribuna opozitare ndriçimin sepse nuk është, por që arsye të mjaftueshme për të dalë për ta rrëzuar këtë rrëzuar këtë zotërinë ka”.