Kryesore Dash Shehi: Gati të kandidoj për President nëse arrihet dakordësi

Dash Shehi: Gati të kandidoj për President nëse arrihet dakordësi

Dashamir Shehi do të jetë kandidati i propozuar për President nga grupi parlamentar opozitar “Aleanca për Ndryshim”.

Lajmi konfirmohet nga kreu i PR, Fatmir Mediu, i cili gjithashtu është kryetar i këtij grupi.

Vetë deputeti Shehi gjithashtu ka pranuar që të jetë kandidat për kryetar shteti.

Teksa falenderon Mediun dhe Dukën, Shehi i kërkon opozitës që ta votojnë, por sipas tij, gjithçka është në dorë të kryeministrit Edi Rama.

“Janë të gjitha manovra përpara, nuk merremi ne me këtë. Ne kemi detyrimin për të propozuar një emër, unë i falënderoj, por kjo është një hipotezë politike. Në dorë e ka Rama. Të shohim kë do të propozojë PD e ndarë në dy pjesë. Nëse i pëlqej popullit opozitar le të më votojnë, por siç e thashë janë të gjitha manovra politike”, deklaroi Shehi për Abc.

Fillimisht ishte kreu i PAA, Agron Duka që propozoi emrin e Shehit për President.

Të enjten, pritet të ketë një takim në kryesinë e Kuvendit mes grupeve parlamentare opozitare për të diskutuar mbi emrat.

Opozita pritet që të propozojë të paktën një emër për raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit më 23 maj.

Që Dashamir Shehi të jetë zyrtarisht kandidat për President, duhet të marrë firmat e të paktën 20 deputetëve.

Në raundin e dytë dhe të tretë, presidenti zgjidhjet me shumicë të cilësuar, 84 vota.

Ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë mjafton shumicë e thjesht prej 71 vota.