Ekonomi DASH: Shqipëria, klimë “të zezë” për investimet e huaja

DASH: Shqipëria, klimë “të zezë” për investimet e huaja

Shqipëria është një vend i korruptuar, ku mungon transparenca, ligjet janë joefikase dhe favorizohen kompanitë sipërmarrëse të lidhura me politikën. Kështu thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me klimën e investimeve, i publikuar këtë të enjte.

Sipas raportit, investitorët e huaj ankohen për korrupsionin e lartë, sidomos në gjyqësor, për mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe për kontratat e pafuqishme.

Dokumenti vlerëson se pavarësisht reformës në drejtësi, investitorët e huaj e perceptojnë klimën e biznesit si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Një tjetër shqetësim në rritje për investitorët e huaj, sipas raportit të Departamentit të Shtetit, është se entet rregullatore e kanë të vështirë të interpretojnë legjislacionin kontradiktor dhe rregulloret dhe përfundojnë duke favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.

“Rregullat dhe ligjet për qeverisjen e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime domethënëse me komunitetin e biznesit. Gjithashtu, biznesmenët e huaj ndodhen nën presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me qeverinë”, vijon raporti.

Një tjetër pikë ku Departamenti i Shtetit ndalet në analizën e tij është partneriteti publik-privat, që sipas tij ka reduktuar ndjeshëm shanset për një konkurrencë të drejtë në treg.

“E drejta e pronës mbetet një tjetër sfidë për Shqipërinë, pasi titujt e pronësisë janë shumë të vështirë për t’u siguruar dhe legjislacioni për këtë është i papërshtatshëm”, nënvizon më tej raporti.

Sipas dokumentit, një tjetër problematikë në këtë fushë është edhe fenomeni i korrupsionit në gjykata për të përfituar ilegalisht prona. Gjithashtu, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk është funksionale dhe dështon në implementimin e procedurave – thotë raporti.

Sa i takon legjislacionit, Departamenti i Shtetit vlerëson se ligjet e miratuara nga qeveria, si ai për Investimet Strategjike dhe ai për krijimin e zonave ekonomike nuk kanë dhënë rezultate.

“Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin perëndimor dhe vazhdon të shënojë progres të dobët në fushat e forcimit të kontratave, regjistrimit të pronave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe sigurimin e energjisë elektrike”, përfundon raporti.