Kryesore Dash Sula: 10 ditë pas zgjedhjeve u mbyllëm në një dhomë dhe...

Dash Sula: 10 ditë pas zgjedhjeve u mbyllëm në një dhomë dhe dyfishuam pagat tona. Turp më të madh nuk ka

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, tha se i vjen turp për vendimin që po merret sot në Parlament, ku do të rriten edhe rrogat e deputetëve e ministrave, përveç se punonjësve të administratës.

“10 ditë pas zgjedhjeve, mbyllemi në një sallë dhe dyfishojmë rrogat tona. Turp më të madh në aspektin personal nuk ka. Të rrisim rrogën tonë me 1,6 milionë lekë brenda ditës, kjo na bën të jemi më të urryerit. Po flas këtu për ata deputetë që shkojnë nëpër zona, jo për ata që nuk i kanë parë ndonjëherë zonat e tyre. Nëse qëllimi juaj është që të bëni që të na shajnë në rrugë, televizion apo rrjete sociale, atëherë ia keni arritur”, tha Sula gjatë fjalës së tij në Parlament.

Sula thotë se shtesën e rritur të pagës që përfiton si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, do ta dhurojë për Shoqatën e Jetimëve në qytetin e Peqinit.

“Kam marrë vendimin si deputet i këtij Parlamenti të Shqipërisë, që shtesa e pagës, të cilën unë përfitoj nga rritja si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, deri në fund të mandatit tim, do të shkojë për Shoqatën e Jetimëve në qytetin e Peqinit dhe ky është një premtim dhe ftoj të gjithë mediat dhe të gjithë gazetarët të monitorojnë tërheqjen e pagës nga banka, të cilën unë e marr si deputet dhe dërgimin e parave në Shoqatën e Jetimëve të Peqinit”, tha Dash Sula.