Kryesore “Dash Sula u rreshtua me një patericë të Ramës”, Berisha: Lista e...

“Dash Sula u rreshtua me një patericë të Ramës”, Berisha: Lista e mbyllur e PS është e atyre që hyjnë e dalin në SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pati një deklaratë për mediat këtë të enjte. Ai u pyet në lidhje me vendimin për deputetin Dashnor Sula që u la jashtë listave të PD-së për zgjedhjet e 11 Majit.

Për këtë arsye, Sula vendosi që të kandidojë për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.

Pavarësisht se respekton vendimin e tij, Berisha thotë se kjo nuk është zgjidhja më e mirë e Sulës.

“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e judës për Dash Sulën i cili ka karrierën e tij, por mendoj se hapi që bëri të rreshtohet me opozitën e opozitës pra de facto me një patericë të Edi Ramës nuk është zgjidhja në vlerësimin tim, megjithëse unë respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë të çdo individi”, tha Berisha.

Sa i përket kandidatëve që kanë braktisur garën sepse nuk ishin në zonë të sigurt, Berisha u përgjigj kështu: “Domethënë një pjesë nuk është e vërtetë se kanë braktisur se janë në zonë të sigurt. Një pjesë e tyre më përpara kanë bërë të ditur se nuk do hyjnë në garë. Kanë preferuar të vijojnë jetën e tyre private. Në tërësi deputetët kanë pranuar verdiktin e listës. Tani nuk po flas për ndonjë që nuk e pranoi verdiktin, por unë mendoj se beteja kundër Edi Ramës zhvillohet jo nga opozitat e opozitës se ato janë vetëm për të ndihmuar Edi Ramën por ajo zhvillohet në gjirin e aleancës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Sipas Berishës nga 140 kandidatura, 85 janë burra dhe 55 janë gra. Nga diaspora janë 7 përfaqësues. Sa i përket listës së PD ai tha se është cilësore.

“Shqiptarët, panë në këto lista ekspertë ndër më të shquarit nga bota akademike, nga biznesi, nga institucione të pavarura të shoqërisë civile, nga diaspora. Kurrë ndonjëherë një listë e tillë, kaq përmbajtësore, kaq cilësore nuk është paraqitur para elektoratit shqiptar”, theksoi Berisha.

Ndryshe mendon për listën e PS-së.

Berisha tha se në listën e mbyllur të Edi Ramës, janë të gjithë ministrat që kanë dosje në SPAK, me qëllimin që të mbrohen.

“Ndërkohë, shqiptarët panë listën e Skapit në krahun tjetër. Të gjithë ministrat me dosje kuintalëshe mbi shpinë u futën njëri pas tjetrit në listën e mbrojtur, për shkakun e vetëm se kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën. Se ata që nuk kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën, por kanë ngrënë dardha veçmas, ata morën udhët, morën urët. Lista e mbyllur e Edi Ramës është lista e Skapistëve, e atyre që hyjnë e dalin në Skap dhe që shkojnë me paturpësinë më të madhe për t’u kërkuar votën qytetarëve për t’u mbrojtur nga drejtësia. Pra, lista e mbyllur është lista e mafies, është lista e Skapit e Edi Ramës”.