Kulturë Me dashurinë për vallet dhe kostumet tona

Me dashurinë për vallet dhe kostumet tona

Shpërndaje

Intervistë me valltaren e koreografen Drita Gega. Fillimet e vështira në Itali dhe si lindi ideja për grupin e valleve “Shqiponjat” në Lecco

Nga Ndue Lazri

Ju jeni një valltare dhe koreografe e njohur jo vetëm midis mërgimtarëve në Itali, por edhe më gjerë. Kur e keni filluar artin e vallëzimit?

Ndue Lazri dhe Drita Gega

Mund të them që vallja popullore më pëlqente që kur isha fëmijë. Pastaj kur shkova në shkollën 8-vjeçare fillova të aktivizohem me grupin e shkollës. Po kështu edhe në shkollë të mesme. Me sa duket kisha prirje për vallen, ndaj filluan të më aktivizojnë edhe me grupin e kooperativës bujqësore të asaj kohe në Bujan. Më vonë më aktivizuan me grupin e estradës në Cernicë e pastaj edhe në pallatin e kulturës në qytetin e Bajram Currit. Kjo rrugë e gjatë nëpër disa vite më mësoi më së miri këtë mjeshtëri dhe art popullor, prej të cilit nuk jam ndarë më e vazhdoj edhe në ditët e sotme.

E keni patur në traditë familjare artin e valles?

Mund të flitet më shumë për një traditë muzikore në familje, pasi shumë nga anëtarët e familjes u binin instrumenteve të ndryshme popullore. Rritja me meloditë e këtyre instrumenteve mbase ushqeu brenda meje dhe motrës sime Liljana dëshirën për të vallëzuar. Në fakt ne të dyja jemi marrë vazhdimisht me vallen dhe kemi qenë gjithnjë bashkë në grupet artistike të të gjitha niveleve.

Si ju lindi idea për të krijuar grupin e valleve “Shqiponjat” këtu në Lecco ku keni ardhur si emigrantë?

Ne kemi ardhur në Lecco në vitin 1999. Nuk njihnim asnjeri. Kishim mall të dëgjonim dikë që fliste shqip. Nuk kishim as punë e as të njohur. Më shumë rrinim mbyllur në shtëpi. Rrallë dilnim në rrugë se fëmijët ishin ende të vegjël. Nuk e harroj një episod. Një mbrëmje dola tek rruga aty pranë, ku ishte një kabinë telefonike. Aty shikoj një njeri që po fliste dhe nga fjalët e tij kuptova që fliste shqip. Kur mbaroi bisedën iu afrova dhe e pyeta nga ishte. Më tha që ishte nga Fieri dhe banonte me familjen diku afër nesh. E gëzuar hyra në shtëpi dhe i thashë bashkëshortit:- Kam gjetur një shqiptar.

Ishin kohë të vështira. Pa punë e pa dokumente. Në vitin 2003, sipas ligjit të atëhershëm italian mbi emigracionin, deshën të na kthenin me forcë në Shqipëri. Por ne kishim 3 fëmijët e vegjël: Sandrina 10 vjeç, Floriani 8 dhe Erjona 5 vjeç. Fëmijët nuk mund të largoheshin nga Italia. Si nënë luftova shumë. Çështja e familjes sonë u bë problem në mediat italiane. Menjëherë na u afruan Pashk Ballabani, kryetar i shoqatës shqiptare “Nënë Tereza”, veprimtari i shquar Engjëll Koliqi e të tjerë derisa u rregulluam me dokumente. Kështu u njohëm me rrethet shqiptare e shoqatat që ishin në atë kohë në Lecco. U afruam me ta e në aktivitetet e tyre. Bashkëshorti im, Ndue Qokaj u binte disa instrumenteve popullore, unë vallëzoja e kështu mblidheshim më shumë në shtëpitë e njëri-tjetrit, ku këndonim e vallëzonim, por ama kishim komunitetin tonë, shoqatat tona ku mund të gëzonim sëbashku.

Na lindi ideja të krijonim shoqatën tonë. Bashkëshorti im nxiti edhe shumë të tjerë e u afruan aktivistë të palodhur si Tana Laçi, Ilda Laçi, Luan Shehu, Dash Pollozi, unë e të tjerë dhe e quajtëm shoqatën “Sofra shqiptare”. Shoqatë që ka mbledhur shumë shqiptarë në gjirin e saj dhe ka zhvilluar e zhvillon aktivitete të rëndësishme kulturore e artistike. Krijimi i shoqatës kishte si qëllim edhe hapjen e shkollës shqipe, ku fëmijët tanë të mësonin gjuhën tonë të ëmbël amëtare. Sot kjo shkollë funksionon më së miri.

Dashuria për vallen shqiptare na nxiti idenë që të krijonim edhe grupin tonë të valleve, të cilin e quajtëm “Grupi i valleve Shqiponja”. Sepse shqiponja është simboli ynë kombëtar dhe di ta ndërtojë folenë në çdo vend.

Si keni arritur ta transmetoni tek fëmijët dashurinë dhe talentin për vallen popullore shqiptare?

Eh, fëmijët tanë e morën rrugën e mërgimit kur ishin ende fare të vegjël. Nuk e harroj kurrë atë udhëtim të frikshëm me gomone. Më e vogla, Erjona ishte ende foshnje, 8-muajshe. Uji i kripur i detit përplasej mbi ne dhe vajza e vogël qante. Ka qarë pa pushuar për një orë e 20 minuta, aq sa më hyri frika. Pronarët e gomones, që ishin të armatosur, na kërcënonin që do ta hidhnin në det nëse ajo nuk pushonte së qari, sepse mund të na zbulonte policia. Për fat arritëm gjallë e shëndosh deri në bregun tjetër. Synimi ynë ishte Gjermania dhe me fëmijë të vegjël kemi shtegëtuar mal më mal për ditë e ditë të tëra derisa arritëm atje. Ndihmë e menjëhershme na u bënë vëllezërit kosovarë, të cilëve nuk ua harrojmë kurrë. Mblidheshim në shtëpitë e tyre dhe këndonim e kërcenim. Bashkëshorti, që i njihte instrumentet popullore, ktheu një mandolinë turke në sharki dhe i binte çdo mbrëmje. Vëllezërit kosovarë ishin të interesuar të dinin mbi gjendjen e luftës në Kosovë, dhe bashkëshorti im, ish oficer, që kishte stërvitur forca të UÇK, u fliste atyre. Mbase ky ambient ndikoi që edhe fëmijët tanë ta duan e pastaj ta kërcejnë vallen shqiptare. Tani të gjithë fëmijët e mi janë valltarë të talentuar dhe anëtarë të grupit të valleve “Shqiponja”.

Bashkëshorti Ndue Qokaj ishte president i shoqatës “Sofra shqiptare” dhe unë krah i tij i djathtë në organizimet e ndryshme. Ai më ndihmonte në formimin e grupit, që zgjerohej. Shumë prindër që ishin në shoqatë e në grup dhe që kishin fëmijë, i çonin fëmijët në shkollë, por i aktivizonin edhe në grupin e valleve. Midis tyre fëmijët tanë spikasnin për pasionin e tyre në këtë drejtim e tërhiqnin edhe moshatarët. Më e madhja, Sandrina, kishte talent edhe si prezantuese e edhe në krijimin e kostumeve popullore. Këtë talent ajo e ka zhvilluar dhe së shpejti do të diplomohet si stiliste. Kështu, shpirti artistik përfshiu gjithë familjen.

Cilat janë aktivitetet më të rëndësishme ku keni marrë pjesë?

Me konsolidimin e grupit dhe ndërtimin e një repertori të pasur, grupi ynë filloi të dalë edhe jashtë zonës ku jetojmë e banojmë. Kemi marrë pjesë në shumë aktivitete në Itali e jashtë saj. Para 3-4 vjetësh ishim të ftuar në Austri nga presidentja e fondacionit “Dukagjini” Shpresa Kameraj, në të cilin ishte edhe artistja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa etj. Në një koncert për festën e flamurit kemi bërë 7-8 orë nëpër dëborë. Si anëtarë të Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) kemi dhënë shfaqje në shumë zona të Italisë ku janë shoqatat tona, si në Treviso, Trentino, Reggio Emilia, Padova, Pesaro, Fermignano etj. Në Treviso grupit tonë iu bashkangjitën miqtë tanë si Arifi, Agimi, Fatmira si dhe çifti italian Patrizia e  Gabriele. Përvoja të paharrueshme, pavarësisht largësisë nga njëra zonë në tjetrën. Kudo jemi pritur me dashuri e respekt nga bashkatdhetarët tanë, por edhe nga publiku italian.

Duke qenë në emigrim, me angazhimet e përditshme të emigrantëve, si arrini të organizoheni për ta çuar përpara vallen? Cili është repertori juaj më i dashur?

Nuk është aspak e lehtë. Dihet, secili nga ne ka angazhimet e punës për të jetuar dhe angazhimet familjare. Kështuqë mbetet pak kohë e lirë. Por është pasioni dhe dashuria për artin që bën gjithçka. Siç e thashë grupi ynë u krijua në Lecco, por ai tashmë ka anëtarët e tij ngado. Përveç atyre që përmenda në Treviso, kemi Esmeraldën në Novara, Linditën në Como, Fatmirin e Mozën në Bergamo. Pjesën më të madhe të grupit e kemi në Cassano D-Adda, me të rritur e të vegjël dhe ku tashmë kemi edhe një sallë për prova, e cila është një domosdoshmëri e na mungonte më parë. Valltarëve tanë u shtohen edhe italianë dhe të komuniteteve të tjera, sepse u pëlqejnë vallet tona dhe duan t’i mësojnë ato.

Na kanë ndihmuar shumë miq nga Tropoja, si Mjeshtri Deli Metaliaj me koreografinë dhe Skënder Doshlani me muzikën. Shembull dhe ndihmë e madhe për ne mbetet edhe e madhja Liljana Cingi, e cila erdhi edhe në 25-vjetorin e martesës sonë. Talenti i saj i jashtëzakonshënm mbetet frymëzim për të gjithë ne që e duam e ushtrojmë vallen popullore.Një problem më vete janë kostumet. Por mjeshtrja Hasime Metaliaj na ka ndihmuar në përgatitjen e tyre dhe tani kemi 50-60 kostume të krahinave të ndryshme. Edhe repertorin e kemi të të gjitha krahinave. Dhe vallet i mësojnë të gjithë valltarët, pavarësisht nga vendlindja e tyre. Kështu për shembull vallen e Tropojës une e kërcej bashkë me Fabiolën nga Saranda. Kjo ndodh me të gjitha vallet, edhe atë të Kukësit, të Shqipërisë së Mesme apo ato të Jugut. Kjo e ka pasuruar dhe bërë të larmishëm repertorin tonë.

Ne nuk jemi thjeshtë një grup vallesh, por një ansambël artistik, sepse kemi edhe këngëtarë e instrumentistë si Ndue Zefi, Fatmira Nikaj,Gëzim Pepaj, Majlinda Kapedani, Paulin Vocaj, Gjon Nikajsi dhe artistja e vogel Daniela Zefi. Në Cassano D’Adda kemi grupin e shpiponjave të vogla, që është e ardhmja e ansamblit tonë.

Objektivat tuaj për të ardhmen?

Ne jetojmë e punojmë në dhe të huaj. Ndaj objektivi ynë kryesor është të mos i lëmë pas dore dhe të mos i humbasim pasuri të tilla të çmuara si muzika, vallet dhe veshjet popullore, pa të cilat do humbisnim identitetin tonë kombëtar. Grupi ynë ka 40-45 valltarë të rritur dhe 20-25 valltarë të vegjël. Kjo përbën një pasuri më vete. Mund të them se çdo vit jemi të ftuar në 20 festa të ndryshme midis bashkatdhetarëve kudo nëpër Itali, por edhe në Austri, Zvicër etj. Kështuqë objektivat tanë i përcaktojnë kërkesat e publikut.

Gjithashtu, në kuadrin e bashkëpunimit midis kulturash, bashkë me shoqet e mia, Paula e Sara synojmë të organizojmë çdo vit festivalin internacional të valles, duke bërë të ngjiten në skenë grupe të ndryshme etnike me vallet, muzikën e kostumet e tyre. Kjo e pasuron aktivitetin tonë, por e bën më të bukur edhe jetën tonë.