Kryesore “The day after”/ Zgjedhjet në SHBA, çfarë pritet të ndodhë tani e...

“The day after”/ Zgjedhjet në SHBA, çfarë pritet të ndodhë tani e në vazhdim?

Shpërndaje
Kryetarja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në krah të figurave të tjera demokrate me peshë, doli para mbështetësve demokratë, duke thënë se është një ditë e re për Amerikën.

Zgjedhjet e mesit të mandatit, që konsideroheshin “referendum” për presidentin në detyrë, Donald Trump, u mbyllën, për t’i hapur rrugë tani betejës së shifrave.

Por, pavarësisht se ende nuk ka një rezultat zyrtar, është bërë e qartë se demokratët janë rikthyer në kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa republikanët kanë mbajtur fort kontrollin e Senatit.

Era e një sundimi të unifikuar për Donald Trumpin dhe republikanët ka përfunduar.

Në këto dy vite të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka përfituar nga një Kongres miqësor, kryesisht mbështetës të agjendës së tij.

Tani, pas dy muajsh, kur Dhoma e re e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët të mbërrijë në Uashington, kjo do të ndryshojë.

Demokratët mund ta frenojnë tashmë Donald Trumpin në agjedën e tij jo pak të polemizuar. Kjo sepse demokratët munden tani të nisin hetime mbi administratën “Trump” dhe aferat e biznesit, që nga deklarimi i taksave e deri te konfliktet e mundshme të interesit. Ata munden më lehtësisht tani të bllokojnë edhe planet e tij legjislative, përfshirë premtimin e tij ikonë, atë të ndërtimit të një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Por, në anën tjetër, republikanët thellojnë shumicën në Senat, gjë që i garanton Trumpit më shumë zë në konfirmimin e të përzgjedhurve të tij në administratë apo gjyqësor. E vetmja pikëpyetje për momentin është përmasa e avantazhit të partisë së tij.

Ajo që ndodhi në Dhomën e Përfaqësuesve mund të jetë diktuar jo pak nga votuesit e pavendosur, që mund të mos jenë kënaqur nga politikat e Donald Trumpit dhe retorikat e tij.

Në Virginia, Illinois dhe Florida, republikanët e moderuar humbën. Në vende si Colorado, New Jersey, Kansas, Pennsylvania, Texas dhe New York, demokratët janë pranë fitores.

Ky sigurisht nuk është një “cunami” si ai që kishte shpresuar shumëkush në spektrin e majtë të politikës, por një “dallgë” në ngritje që u garanton demokratëve kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, për të parën herë pas 8 vitesh.