Sport De Biasi drejt largimit në Kinë

De Biasi drejt largimit në Kinë

Aventurës së Gianni De Biasit në stolin e Shqipërisë po i vjen fundi dhe për këtë janë të sigurta mediat italiane, që e shohin të ardhmen e trajnerit të kombëtares kuqezi në Lindjen e Largët.

Kina do të jetë me shumë gjasa destinacioni i ardhshëm i De Biasit me 60-vjeçarin që mund të marrë drejtimin e një skuadre të Superligës kineze. Ndeshja me Izraelin mund të mbyllë ciklin e Gianni De Biasit te Shqipëria, një cikël 6-vjeçar që kulmoi me atë kualifikim historik në Europianin, Francë 2016-të.

Nëse deri para disa ditësh kishte vetëm zëra për kalimin e De Biasit në Kinë, tashmë mediat italiane kanë bërë publike edhe emrin e skuadrës.

Bëhet fjalë për Tianjin Teda-n ekip që pozicionohet në vendin e 8-të të Superligës kineze pas 12 javëve kampionat.

Nëse merr drejtimin e Tianjin Teda-s, De Biasi do të ketë mundësi të stërvisë lojtarë të klasit të lartë Botëror, siç është ish-mesfushori i Chelsea-it John Obi Mikel, serbi Nemanja Gudelj që ka një të shkuar te Az Alkmaar dhe Ajax në Holandë, por edhe ish-sulmuesin e West Bromwich Albion dhe Olympiacosit, Brown Ideye.

De Biasi në fakt ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në përfundim të fushatës kualifikuese për Botërorin, Rusi 2018, por mesa duket gjasat janë që trajneri italian të ndërpresë përpara kohe bashkëpunimin me FSHF.