Sport De Biasi firmos zyrtarisht me Azerbajxhanin, detajet e kontratës

De Biasi firmos zyrtarisht me Azerbajxhanin, detajet e kontratës

Është zyrtare. Gianni de Biasi bëhet zyrtarisht trajner i kombëtares së Azerbajxhanit. Gjithçka është “vulosur” falë firmosjes së kontratës nga ish-trajneri ynë kuqezi. Ka qenë vetë 64-vjeçari, ai që e ka bërë me dije këtë fakt përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Sot nënshkrova (materialisht) kontratën që më lidh me Federatën e Azerbajxhanit deri më 30 nëntor 2021. Dëshirë e madhe për të filluar përsëri me një sfidë të re të madhe….”

Federata Azerbajxhanase e Futbollit ka konfirmuar se trajneri i ri do të mbërrijë më 10 gusht në Baku, për të filluar punën për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kombeve, të cilat startojnë në shtator: “Bisedimet midis AFFA dhe Gianni De Biasi për emërimin e tij si trajner i kombëtares së Azerbajxhanit ishin të suksesshme dhe sot u nënshkrua një marrëveshje. Kontrata mbulon sezonin aktual të Ligës së Kombeve dhe raundin kualifikues të Kupës së Botës 2022. De Biasi është planifikuar të arrijë në Baku më 10 gusht”.

Në momentin kur e arriti marrëveshjen, për mediat azere, De Biasi foli me emocion për aventurën e re si trajner, pas tri vitesh pushim: “Bukuria e vendit tuaj më ka lënë pa fjalë. Kryeqyteti është i madh dhe dinamik. Ka një popullsi prej dy milionë banorësh dhe vendoset në brigjet e detit Kaspik. Vërtet shumë tërheqës. Nuk mund të jem aty aq shpesh, si kur drejtoja Shqipërinë. Atje kaloje nga Tirana në Itali shumë lehtë. Ndërkohë, itinerari me Bakun është pak më i ndërlikuar, pasi duhet të shkosh në Stamboll fillimisht dhe pastaj të marrësh avionin për atje.

Kam tre muaj që po vëzhgoj dhe shoh videot e kombëtares së Azerbajxhanit. Të gjitha të dhënat që kanë dalë në media për rrogën time nuk janë të vërteta. E dini se çfarë është e rëndësishme për mua? Nuk po vij për para tek Azerbajxhani, por për të bërë një punë të rëndësishme me kombëtaren. A do të marr ndihmës Ansi Agollin? Jo, është e pamundur për momentin, sepse ka kontratë me klubin e tij në Amerikë. Natyrisht, do të më pëlqente shumë ta kisha në staf për të ardhmen, pasi e njeh mjaft mirë këtë vend, futbollin e Azerbajxhanit, duke qenë se ka luajtur për shumë vite te Karabaku”.