Sport De Biasi: Reja ka potencialin e duhur për të drejtuar kombëtaren

De Biasi: Reja ka potencialin e duhur për të drejtuar kombëtaren

Situata në ekipin kombëtar është shqetësuese dhe shanset për një kualifikim në europian janë thuajse zero. Ish-trajneri i përfaqësueses Gianni De Biasi gjatë një ndërhyrje telefonike për emisionin “Pressing” në ABC News analizoi formën dhe ecurinë e deritanishme të kuqezinjve nën drejtimin e teknikut Edy Reja. Trajneri, i cili dërgoi përfaqësuesen në Euro 2016 bëri të ditur se në Shqipëri nuk ka një kulturë për të pranuar humbjen.

“Nuk po ndodh asgjë. Kemi marrë fitore me Andorrën dhe Moldavinë. Trajneri Edy Reja do të bëjë maksimumin. Fillon një rrugëtim mjaft i vështirë dhe ndaj Islandës duhet marrë një fitore. Në Shqipëri mungon një lloj kulture në situata të tilla. Skuadra duhet mbështetur jo vetëm kur fiton, por edhe kur humbet. Shqipëria nuk është skuadra më e fortë e grupit. Kjo është Shqipëria që është. Në bazën e ecurisë dhe problemeve duhen kuptuar rezultatet dhe përpjekjet për të bërë më të mirën në situata të tilla kritike”, tha De Biasi.

Por çfarë mendon De Biasi për rreshtimin taktik 3-5-2 që aplikon trajneri Edi Reja?

“Nuk është problem sistemi apo moduli që zgjedh trajneri se sa situata në të cilën lojtarët janë për momentin. Një pjesë e mirë e futbollistëve që unë drejtoja ishin në kapacitetet e tyre maksimale. Kishin shumë minuta nën këmbë dhe aktivizoheshin rregullisht. Ndoshta aktualisht një pjesë e tyre nuk luajnë shumë dhe kjo krijon komplikacione respektive për sa i përket ecurisë. Sistemi i lojës mund të përshtatet në mënyra të ndryshme. Nga 3-5-2 mund të ndryshojë gjatë lojës”, tha De Biasi.

Në fund edhe një sugjerim për kuqezinjtë.

“Nuk duhet menduar se kemi qenë në europianin e vitit 2016 pasi gjithmonë ka një fillim dhe një fund. Duhet gjetur forca për të filluar sërish dhe ecur përpara. Duhet të lini të qetë trajnerin për të punuar me skuadrën. Ai ka kapacitete të mira dhe potencialin e duhur për të drejtuar Shqipërinë. Duhet të mbështesni këtë skuadër edhe në momentet e vështira dhe jo vetëm kur fiton. Lojtarët duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre në momentet e veçanta sa i përket performancës dhe pjesës së tyre në fushë. Kjo është shumë e rëndësishme sa i përket situatës në përfaqësuese”, u shpreh ai.

Shqipëria luan sonte në mbrëmje në “Elbasan Arena” ndaj Islandës ku synimi kryesor mbetet rikthimi tek fitorja.