Sport De Biazi vë bast: Champions-in e fiton Juventusi, bravo Alegri!

De Biazi vë bast: Champions-in e fiton Juventusi, bravo Alegri!

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka dhënë mendimin e tij pas triumfit të Juventusit ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Këto janë fjalët e teknikut italian në studion e Radiotelevizionit Zviceran Italian: “Juventusi ka bërë investime të mëdha në merkato që nga finalja e Berlinit dhe ka arritur t’u japë një mentalitet të caktuar disa futbollistëve: së pari Manxhukiçit, një lojtar me karakteristika sulmuese, gjithmonë i gatshëm të sakrifikohet. Këtë herë ishte lojtari i gjashtë që rreshtohej në vijën e mbrojtjes bashkë me Kuadradon nga ana tjetër. Kjo – shpirti i sakrificës – mendoj se është një meritë e madhe. Lojtarët e mëdhenj janë të tillë pasi arrijnë të tregohen të përulur gjatë ndeshjeve”.

Kush e bëri diferencën?

“Diferencën mes dy skuadrave e bëri Mesi, i cili ishte jashtëzakonshëm për sa i përket sasisë së topave të luajtur dhe gjuajtjeve në portë, por me një pasaktësi të pazakontë për një futbollist të cilësisë së tij.

Koncepti i skuadrës bën diferencën. Ekipi i madh lind nga klubi që arrin të bëjë ndryshime pavarësisht faktit se gjërat po shkojnë mirë. Ndryshime që sjellin të ardhura në arkë dhe në nivelin teknik, lojtarë që janë funksionalë për projektin dhe për trajnerin. Pastaj aftësia e trajnerit është ajo që u lejon lojtarëve të shprehen në mënyrën më të mirë, kjo është një meritë e madhe e Alegrit.

Kur ke një lojtar si Manxhukiç, e merr si qendërsulmues dhe pastaj e bën të luajë në krah të sulmit dhe të mbrojë i tërhequr, kjo tregon sa shumë punë ka bërë trajneri. Një punë e bërë çdo ditë, duke rënë dakord me lojtarët dhe duke përcaktuar me ta disa raporte. Mendoj se Alegri ishte shumë i aftë të kalibronte ngarkesat për lojtarë të ndryshëm, ka bërë rotacion kur duhej, ka përdorur të gjithë ekipin kur mendonte se ishte koha e duhur për të pushuar. Janë të gjitha gjëra që bëjnë diferencën. Nuk duken edhe aq shumë nga jashtë, gjëra të tilla nuk vihen re”.

Kundërshtarët në gjysmëfinale?

“Nuk di kë të zgjedh, kur arrin në këtë pikë është e vështirë të përballosh cilëndo skuadër. Juventusi duhet ta ruajë këtë status. Është mirë nga pikëpamja fizike dhe psikologjike. Nëse do të vija bast te një ekip për fitoren përfundimtare, do të ishte Juventusi, pasi mendoj se në këtë moment është skuadra që pëson më pak gola”.