Sport De Ligt për të pestën herë radhazi në stol, Capello e shpjegon...

De Ligt për të pestën herë radhazi në stol, Capello e shpjegon me precedentin “Platini”

Në fund të ndeshjes Juventus-Cagliari, nëse kishte një fytyrë më të trishtuar, ishte pa dyshim ajo e Matthijs de Ligt. Mbrojtësi holandez, në fakt, mbeti jashtë formacionit për të pestën herë radhazi, pas 11 ndeshjesh titullar me bardhezinjtë. Një zgjedhje që Sarri e shpjegoi pjesërisht me disa probleme fizike, që po kalon në javët e fundit blerja e shtrenjtë e verës së kaluar.

Megjithatë, ky argument nuk është shumë bindës për Fabio Capello. Në rolin e komentuesit të “Sky Sport”, Don Fabio analizoi “përjashtimin” e holandezit: “De Ligt nuk është mirë? Ata thonë kështu… Tani duhet t’i japim kohë për të kuptuar sistemin e ri të lojës dhe mentalitetin e futbollit në Itali. Mos harroni se Platini mori gjashtë muaj kohë për t’u përshtatur në Serie A, te Juventusi”.

Capello promovon blerjet e Ramsey dhe Rabiot, titullarë kundër Cagliari, por deri më tani jo shumë bindës me fanellën bardhezi: “Për mua janë dy lojtarë të shkëlqyeshëm, por ende nuk i shoh në gjendje të mirë. Rabiot nuk ka luajtur për gjashtë muaj, është një pushim shumë i gjatë dhe i duhet kohë për ta rimarrë formën”.