Sport De Ligt te Juventusi, Mino Raiola akuzon Ajax se nuk po e...

De Ligt te Juventusi, Mino Raiola akuzon Ajax se nuk po e mban fjalën

Agjenti i Matthijs de Ligt, Mino Raiola, pretendon se ka pasur një marrëveshje me Ajax për mbrojtësin, që të largohet këtë verë, në qoftë se bëhet një ofertë e përshtatshme. De Ligt kërkohet nga Juventusi, por oferta e parë e bardhezinjve është 50 milionë euro, e cila ka marrë refuzimin e Ajax. Klubi holandez kërkon një pagesë më të madhe transferimi.

Mirëpo, Raiola ka pohuar se Ajax ka bërë një premtim më 2018 që, nëse De Ligt qëndron edhe një sezon tjetër, ai do të lejohej të lëvizte për çmimin e duhur. “Marrëveshjet janë bërë mes Matthijs dhe Ajax, klubi t’iu qëndrojë fjalëve të dhëna”, – tha Raiola për “De Telegraaf”. Agjenti i De Ligt beson se marrëveshja verbale ishte një pagesë prej 45-50 milionë euro.

Mino Raiola shpreson se një marrëveshje përfundimtare mes të gjitha palëve mund të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Mediat europiane kanë raportuar se De Ligt kishte arritur një marrëveshje me Juventusin për 5 vite, me pagë totale prej 12 milionë euro në sezon, bashkë me bonuset. Kjo marrëveshje përfshin edhe një klauzolë lirimi, siç kërkohet nga Raiola, e cila parashikohet të jetë rreth 150 milionë euro.

Megjithatë, ndërsa Ajax pret një pagesë më të madhe transferimi, Raiola thotë se është i prirur për ta shmangur çështjen nga arbitrazhi: “Një çështje arbitrazhi është jashtë diskutimit për ne. Për këtë kam këshilluar edhe Matthijs, sepse nuk i përshtatet stilit të tij dhe mënyrës së tij të jetesës. Lojtari shpreson vetëm që Juventusi dhe Ajax të tregojnë vullnet për të punuar dhe që marrëveshja të mbyllet shpejt”.