Ekonomi Debate të ashpra në Greqi për autostradën me Shqipërinë

Debate të ashpra në Greqi për autostradën me Shqipërinë

Rishikimi i projektit të vijimit të autostradës Joniane drejt pikës kufitare të Kakavijës nga Ministria greke e Infrastrukturës po ngjall debate të ashpra në rajonin verior grek të Janinës, fqinj me Shqipërinë.

Bashkitë e rajonit verior grek, por edhe grupe të biznesit dhe shoqata turistike po kundërshtojnë fort planet e qeverisë së re të Kryeministrit Micotaqis ku parashikohet ndryshimi i projektit dhe shkurtimi i buxhetit.

Debatet nisën pas një seance në Parlamentin grek ku njëri nga deputetët e Janinës kërkoi që autoritetet e Ministrisë greke të Infrastrukturës të shpjegonin vonesën për fillimin e projektit rrugor që ishte gati që në vitin 2013. Por Ministria u përgjigj se po rishikonte projektin dhe shkurtimin e buxhetit duke parashikuar një rrugë kombëtare dhe jo autostradë në drejtim të Kakavijës.

Kryetari i Bashkisë së Janinës, Moses Elisaf

Kryetari i Bashkisë së Janinës, dhe 4 bashkive kufitare me Shqipërinë, Prefekti i rajonit, disa shoqata rajonale që lidhin aktivitetin me turizmin dhe biznesin i kanë kërkuar qeverisë greke me tone të forta në deklarata publike që projekti të zbatohet siç është parashikuar. Ndryshimi i projektit që lidh Rrugën Joniane me Kakavijën, sipas tyre, do të cenonte zhvillimin e rajonit.

Autostrada Joniane është ndërprerë në periferi të Janinës dhe segmenti që duhet ta lidhte me Kakavijën në kufi me Shqipërinë, rreth 90 kilometra e bën atë pjesë të boshtit të rrugës joniane të Ballkanit perëndimor. Ky bosht rrugor fillon nga Trieste, në Itali, përshkon Slloveninë, Kroacinë Malin e Zi dhe Shqipërinë dhe arrin deri në Pikën kufitare të Kakavijës në kufi me Greqinë.

Shqetësimit të qeverive vendore fqinje me Shqipërinë iu bashkuan edhe drejtuesit vendorë në Gjirokastër dhe organizmat e biznesit. Kryetarja e Qarkut të Gjirokastrës Lindita Rova i tha Zërit të Amerikës se “do të ndanin vullnetin e përbashkët me Qarkun e Janinës për nxitjen e fillimit të projektit të superstradës”. Ndërsa Kryetari i Dhomë së Tregëtisë së Gjirokastrës Maksi Hoxha tha se “infrastruktura rrugore është mjaft e rëndësishme për shkëmbimet mes dy rajoneve”. “Sapo firmosëm edhe një marrëveshje me Dhomën e Tregëtisë së Janinës për paketa të përbashkëta turistike dhe një bashkëpunim të gjerë rajonal”, tha zoti Hoxha./VOA