Histori Debatet mbi Enverin, leksioni që marrim në Butrint

Debatet mbi Enverin, leksioni që marrim në Butrint

Nga Auron Tare

Në fillimin e viteve 2000, rastësisht, duke pastruar një grumbull dherash, punëtoret e mirëmbajtjes në Butrint gjetën këmbën e një statuje e cila më vonë, pasi u gërmua me kujdes, doli se ishte një vepër unikale.

Ishte unikale jo për vlerat artistike por për mesazhin historik që përçonte. Isha aty që ditën e parë kur e zbuluam këtë statujë që duhej të kishte qenë madhështore dhe u mora gjatë me fatin e saj.

Statuja u quajt Togati. Ishte një figurë shtetërore që fatkeqësisht ishte dëmtuar më qëllim, por që pas shumë hulumtimesh, si dhe nga ndihma që na dhanë disa ekspertë të fushës, nxorëm përfundimin se Togati duhet të jetë statuja e perandorit Oktavian August.

Augusti, sipas burimeve antike ishte ai që ju dha legjionarëve të tij dhe familjeve të tyre të drejtën për t’u vendosur në tokat e begata të Butrintit.

Por politikisht ngjarjet rrodhën që, pas vdekjes së tij statuja ishte hequr dhe një skulptor antik ishte përpjekur të gdhende aty një figurë tjetër imperial, pra perandorake. Duket se Augusti nuk ishte më “politikisht korrekt” dhe bashkëkohësit e tij në Butrint kanë dashur t’i heqin rolin e themeluesit të kolonisë romake.

Na u desh një vit për t’u bindur që Togati i Butrintit ishte perandori i shquar Octavian Augusti, të cilit dukej se Legjionarët e Legjionit të XIII i kishin dedikuar statujën si themelues i kolonisë romake të Butrintit dhe fitues i luftës.

Megjithëse dallgët e historisë e kishin përplasur statujën kudo, ajo edhe pas 2000 vjetësh na tregoi se megjithë të këqijat, fajet apo gabimet që Perandori August kishte, ai përsëri njihet si themelues i kolonisë romake të Butrintit.

Në këtë kontekst, debati i përvitshëm nëndorial “iku nuk iku”, “ishte nuk ishte”, “të mirët dhe të këqinjtë” etj., nuk do ketë as një kuptim historik në të ardhmen.

Gjeneratat që do vijnë pas do jenë emocionalisht më të ftohtë dhe do të pranojnë disa fakte që, duam apo nuk duam ne, janë pjesë e Historisë.

Lufta antifashiste kishte një udhëheqës dhe ai e kishte emrin Enver Hoxha. Që Enver Hoxha u bë një diktator i egër, që vrau një pjesë të shokëve të tij që i kishte pjesë të asaj lëvizjeje të madhe, që bëri mjaft gabime dhe faje ndaj këtij populli, i takon gjykimit të viteve të pasluftës. Por duam apo nuk duam ne, ai udhëhoqi lëvizjen antifashiste shqiptare dhe këtë fakt nuk e nxjerrim dot nga historia e shek të 20 të këtij vendi.

Si të tillë e pranuan amerikanët, britanikët, sovjetikët, italianët e grekët. Ç’të bëjmë, ja që e pranuan aleatët e mëdhenj. Të mos ja njohim rolin e tij në krye të një lëvizjeje që e renditi Shqipërinë në krahun fitues të Luftës?

Edhe nëse e bëjmë, ne nuk na lë dot historia, e cila si në rastin e Togatit na tregoi se edhe pse perandori romak u gjykuar për regjimin e ashpër nga bashkëkombasit e tij, në fund të fundit ai ishte fituesi i luftës.