Kryesore Debati për Kushtetuesen, SHBA: Çojeni në Komisionin e Venecias

Debati për Kushtetuesen, SHBA: Çojeni në Komisionin e Venecias

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është bashkuar debatit të interpretimit, të zhvilluar në ditët e fundit, për çështjen e emërimeve të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Ambasada amerikane shprehet se vazhdon ta ndjekë me prioritetet zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, e cila çon përpara në rrugëtimin evropian të vendit.

“Reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruhet në postimin e ambasadës.

Duke parë ngërçin e krijuar për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit të anëtarëve të Kushtetuese, Ambasada fton palët që ta çojnë çështjen në Komisionin e Venecias si palë e tretë, e paanshme.

“Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”, shton ambasada.