Politika Dëbimi i diplomatëve iranianë, Milo: Prova të tjera, përpos ndeshjes Shqipëri-Izrael

Dëbimi i diplomatëve iranianë, Milo: Prova të tjera, përpos ndeshjes Shqipëri-Izrael

Ish-Ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e cilëson të drejtë vendimin e shtetit shqiptar për të dëbuar dy diplomatët e Ambasadës iraniane në vendin tonë me në krye Ambasadorin.

Paskal Milo: Sa kohë ka veprime që dalin jashtë statusit diplomatik të Ambasadorit dhe punonjësve të tjerë të Ambasadës është mëse normale veprimi që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Shpesh largimet ndodhin pa zhurmë, por kur ka veprime të rënda që cënojnë sigurinë e vendit përkatës atëherë në këtë rast ka dhe veprime publike si rasti në fjalë.

I ftuar në Ora News, Milo thotë se dëbimi i diplomatëve tejkalon edhe ngjarjen e para dy viteve kur u fol për një sulm terrorist të planifikuar në Shqipëri gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Paskal Milo: Është folur pa dy vitesh për një mundësi të tillë, por nuk besoj se veprimi i qeverisë shqiptare është motivuar nga kjo ngjarje që mund të ndodhte në territorin shqiptar me rastin e ndeshjes së Izraelit me Shqipërinë. Besoj se gjatë këtyre dy viteve ka prova të tjera për veprimtarinë e jashtëligjshme, jashtë statusit diplomatik, të Ambasadorit dhe të Ambasadës së republikës së Iranit në Tiranë.

Për rrjedhojë, meqenëse paralajmërimet që janë bërë nuk kanë ndërprerë këtë qëndrim të iranianëve në Tiranë, për më tepër se këtu kemi dhe udhëheqësinë e opozitës iraniane që vetvetiu janë një objekt i vëmendjes parësore iraniane dhe Ambasadës së Iranit në Tiranë. Në adresë të tyre me siguri ka pasur aktivitete të jashtëligjshme dhe përpjekje për të zhvilluar akte terroriste që agjencitë e huaja inteligjente dhe agjencia shqiptare e inteligjencës i kanë identifikuar dhe janë detyruar të marrin masa të kësaj natyre.

Milo komentoi edhe lajmin që po qarkullon në media se moszbatimi i kërkesës për dëbimin e diplomatëve është bërë shkak për anulimin e vizitës së kryeministrit izraelit në Tiranë.

Paskal Milo: Është folur se ka pasur një arsye më madhore se ajo e vdekjes së Ministrit të Financave të Izraelit që e detyroi kryeministrin Benjamin Netanyahu që të mos vinte në Tiranë. Do të ishte një vizitë rajonale, por që nuk u bë në atë kohë me arsyen se Netanjahu nuk ndihej i sigurt me ardhjen e tij në Tiranë.

Veprimi i qeverisë shqiptare është një veprim i koordinuar me SHBA. Shqipëria nuk është i vetmi vend që po e bën një veprim të tillë në kundërpërgjigje të rreziqeve dhe kërcënimeve që mund të vinë nga aktiviteti i agjentëve iranianë të infiltruar në shërbimin diplomatik.