Sport Debutimi pozitiv, Pirlo: Kam idetë e mia, nuk dua të kopjoj askënd

Debutimi pozitiv, Pirlo: Kam idetë e mia, nuk dua të kopjoj askënd

Pozitive ndeshja e parë e Andrea Pirlos në pankinën e Juventusit. Ekipi fitoi 3-0 ndaj Sampdorias dhe dha sinjale shumë të mira. Trajneri është i kënaqur, edhe pse qëndron me këmbë në tokë në prononcimin e dhënë për triumfit të parë në kampionat.

“Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, mund të shënonim edhe disa gola të tjerë. Në 45 minutat e dyta vuajtëm disi, por u treguam të kthjellët në momentet vendimtare. E dinim që nuk na priste një ndeshje e lehtë ndaj Sampdorias.

Frabotta? E zgjodha atë pasi di të luajë mirë futboll. Po stërvitej mirë, e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë, kështu që nuk rrezikova me aktivizimin e tij. McKennie zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por ka mundësi edhe për më shumë.

Do duhet kohë që ekipi të luajë futbollin që dua unë. Nuk dua të kopjoj askënd, por frymëzohem nga skuadrat që më kanë mahnitur me futbollin që kanë prodhuar. Nuk kemi shumë kohë, por disa gjëra të mira po fillojnë të shihen.

CR7? Po mendojmë se si ta menaxhojmë sa më mirë. Kam biseduar me Cristianon. Në të ardhmen do të pushojë, sidomos në ndeshjet pa rëndësi të madhe apo kur rezultati të jetë përcaktuar. Ai e njeh në perfeksion fizikun e vet, e di se kur duhet të pushojë“, thekson Pirlo.