Aktualitet Dekani i Juridikut “kërcënon” studentët: S’dihet si shkojnë punët, ku do futeni?!

Dekani i Juridikut “kërcënon” studentët: S’dihet si shkojnë punët, ku do futeni?!

Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë është nja nga institucionet e Arsimit të Lartë në Tiranë, që vijon të jetë i bllokuar prej disa ditësh nga studentët e ngujuar, të cilët janë të bindur për t’i qëndruar deri në fund kauzës së tyre.

Paraditen e së enjtes te “Juridiku” është zhvilluar një takim mes dekanit Artan Hoxha dhe disa studentëve që protestojnë, mesa duket në zyrën e drejtuesit, ku ky i fundit u ka bërë presion që t’i japin fund bojkotit të mësimit.

Biseda me dekanin është regjistruar nga studentët dhe po qarkullon në rrjet.

Aty duket që kemi të bëjmë me shantazh ndaj të rinjve.

“Ju keni marrë peng shkollën. Jeni studentë të juridikut. Ju keni pasurinë e shkollës atje. Keni gjithë dokumentacionin. Po t’ju ndodhë gjë (dokumenteve) ku do shkoni ju? Ju i keni vënë fytyrën dhe emrin tuaj gjithë këtij procesi”, thotë Hoxha, duke ju drejtuar studentëve.

Ndërkohë sipas denoncimeve, dekani nuk e ka mbyllur me kaq por ka “kërcënuar” hapur disa studentë që gëzojnë mbështetje tek të gjitha grupimet, duke u thënë “mbylleni me kaq, se nuk dihet si shkojnë punët”.