Aktualitet Moisi Habilaj del nga burgu, por nuk do të kthehet në Shqipëri

Moisi Habilaj del nga burgu, por nuk do të kthehet në Shqipëri

Moisi Habilaj, i afërmi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u arrestua në Itali për trafik droge, ka lënë qelinë e burgut.

“MeridioNews” raporton se Gjykata e Apelit të Catanias në shtetin fqinj vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”, duke pranuar kështu kërkesën e avokatit mbrojtës.

Procesi gjyqësor pati interes të madh edhe në Shqipëri, pasi Habilaj ishte kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili gjithashtu u akuzua nga Prokuroria shqiptare për bashkëpunim me grupin e organizuar kriminal.

Në qershor të vitit 2019, Habilaj u dënua me 15 vite e 5 muaj burg. 954 ditë më pas, ai do të kalojë në arrest shtëpie, në banesën e vëllait të tij pranë Katanias dhe jo në Shqipëri. Avokatët argumentuan gjatë seancës së apelit se në burg nuk ishin kushtet e duhura për të kryer dënimin.

42-vjeçari do të duhet të respektojë disa rregulla, si ai i ndalimit të komunikimit me asnjë person tjetër jashtë atyre me të cilët do të banojë dhe avokatëve të tij.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua në shtatorin e vitit të shkuar me 5 vjet burg për shpërdorim detyre. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj burg që më pas u konvertua nga gjykata në 3 vjet shërbim prove. Edhe këtë vendim, Tahiri e ka apeluar.