Aktualitet Del para gjykatës botuesi Henri Çili, prokuroria që ka kërkuar arrest me...

Del para gjykatës botuesi Henri Çili, prokuroria që ka kërkuar arrest me burg

Kanë dalë këtë të diel para gjykatës 35 të arrestuarit e operacionit Mezhgorani që çoi në pranga mes të tjerëve, edhe botuesin Henri Çili. Seanca ka nisur rreth orës 12:00, por gjyqtari Dritan Hasani kërkoi tërheqjen për shkak se kishte pasur njohje në të kaluarën me njërin prej të arrestuarve. Por pas një ndërprerje disa orëshe u vlerësua se gjyqtari nuk ishte në konflikt interesi.

Njëri pas tjetrit të ndaluarit bënë prezantimin para gjykatës, e cila do të vlerësojë kërkesën e prokurorisë që ka kërkuar arrest me burg. Çili akuzohet se ka marrë përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet, për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në vitin 2015 në Lazarat.

Gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Gjirokastrës, ai i ka mohuar akuzat duke u shprehur se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe gjithçka është e manipuluar. Ai ka thënë se akuzat do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.

Në raportin e prokurorëve që u lexua edhe në gjykatë, botuesi është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar tek një anëtar i sistemit të drejtësisë, me qëllim lirimin nga burgu të vëllezërve Aliko.

Ndaj Çilit rëndojnë 6 akuza, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i parave.

Operacionit “Mezhgorani” nisi fillimisht për falsifikim kartëmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Seanca po mbahet me dyer të mbyllura dhe pranë saj ka familjarë dhe të njohur të personave të arrestuar.