Sport Del Piero analizon Serinë A, futbollistët dhe trajnerët

Del Piero analizon Serinë A, futbollistët dhe trajnerët

Alessandro Del Piero, legjenda e Juventus-it, ish-kapiten dhe ish-numri 10 i bardhezinjve, ka folur për Serinë A, futbollistët dhe trajnerët në një intervistë të dhënë për SportWeek: “Janë lojtarët ata që bëjnë diferencën. Gjithsesi, në bazë të gjithçka është mentaliteti. Do të ishte mirë nëse kampionati italian do të fillonte të kishte një mentalitet anglez, me më shumë intensitet dhe më shumë guxim. Siç ka bërë Atalanta sezonin e kaluar. Ilicic ka një klas Champions-i. Atalanta është një gjë tjetër me të, një tjetër pa të”.

Zaniolo – “I përket kategorisë së lojtarëve që kanë diçka më shumë. Duhet të ketë vetëm besim. Pyes veten: po marrin masat trajnerët për të nxjerrë në pah talentin e lojtarëve që kanë në dispozicion, duke i përshtatur skemat me futbollistët që kanë në ekip? Kjo, sipas mendimit tim, nuk është diçka që mund të anashkalohet. Në përgjithësi, kampioni do të luajë me kampionë të tjerë”.

Kampionati – “Na pret një kampionat i jashtëzakonshëm, më i bukur dhe më i luftuar. Juventus është shumë e fortë, por duhet zbuluar akoma, sepse ka ndryshuar shumë, duke filluar nga trajneri. Pres shumë nga Inter-i dhe Napoli, pa harruar Atalanta-n dhe Roma-n. Jam kurioz për Milan-in, Giampaolo e meritonte këtë mundësi”.

Juvja e Allegri-t – “Vështirësitë e treguara nga Juventus në Champions, apo nga cilësia e lojës në ndonjë ndeshje të kampionatit, nuk mund të justifikohen me një ‘është faji i Allegri-t’. Sepse përndryshe do të duhet të themi se në sezonin paraardhës, Juventus shkoi në finalen e Champions-it për meritë të Allegri-t dhe me një lojë aspak inferiore në krahasim me të mëdhatë e Europës. Loja pa rezultate nuk më ka entuziazmuar kurrë”.

Paqueta&Co – “Paqueta duhet të bëhet një lider, për rolin dhe karakteristikat që ka. Do të jetë një sezon vendimtar për të. Rabiot ka talent, teknikë dhe fizik: përzierja ideale për të qenë një kampion. I duhet vazhdimësi. Tonali është i përzgjedhur nga fati. E ardhmja mund të jetë e tija”.

Goditjet e dënimit – “Pjanic i ekzekuton goditjet e dënimit si një numër 10-të i vërtetë, me Sarri-n do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Duke qëndruar te goditjet e dënimit, vazhdoj të kem një pikë të dobët për ata që i ekzekutojnë në mënyrën e duhur: për këtë më pëlqen shumë Lasse Schone, një goditje me të vërtetë e bukur”.