Sport Del Piero, mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta të legjendës juventine

Del Piero, mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta të legjendës juventine

Ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare, Giampiero Boniperti, ish-presidenti i nderit i klubit të futbollit Juventus.

Lajmi u dha nga familjarët e tij duke thënë se Giampiero ndërroi jetë gjatë natës në Torino, si pasojë e një insuficiencë kardiake.

Giampiero Boniperti mbajti për shumë vite postin e presidentit të nderit te “Zonja e vjetër”, pasi kishte luajtur për ngjyrat bardhezi dhe më pas kishte shërbyer edhe në pozicione të ndryshme drejtuese.

Prej disa kohësh ai ishte tërhequr nga jeta publike dhe në korrik do të mbushte 94 vjeç. Nga ajo që raporton familja, ceremonia mortore do të jetë shumë private.

Homazhi i Juventusit

Me këtë njoftim për shtyp, Juventusi donte të përshëndeste një legjendë nga historia e vet:

“Ky është lajmi që ne kurrë nuk kemi dashur t’jua japim. Sot, 18 qershor 2021, ne përshëndesim përgjithmonë Giampiero Boniperti, i cili vdiq në Torino në moshën 92-vjeçare. Ai do të kishte mbushur 93 vjeç për disa ditë, 4 korrikun e ardhshëm. Emocioni që të gjithë ne ndiejmë tani nuk na pengon të mendojmë fort për të, për gjithçka që “Presidentissimo” ishte dhe do të jetë gjithmonë në jetën e Juventusit.

Një figurë e pashlyeshme, e cila nga sot i dorëzohet kujtesës, sepse tashmë ka përfunduar në librat e historisë së futbollit prej disa kohësh. Kur shprehni një mendim, dhe ai mendim bëhet pjesë e ADN-së së klubit, të cilit i keni kushtuar jetën, kjo do të thotë që karakteri juaj është bërë identiteti dhe mënyra e të qenurit. Do t’ju kujtojmë përgjithmonë”, ishte homazhi i klubit të Juventusit, ndërkohë që e gjitha bota sportive italiane dhe jo vetëm i kanë dedikuar mesazhe figurës së jashtëzakonshme të Bonipertit, ndërsa përzgjedhim atë të Alessandro Del Pieros, për shkak të lidhjes speciale që ka pasur Bonipertin.

“I dashur President, askush nuk ka qenë te Juventusi si ti. Dhe askush nuk do të jetë. Unë të kam borxh pothuajse gjithçka, si futbollist, aq më shumë si njeri. Sepse pa Juventusin, pa Juventusin tuaj, nuk do të isha bërë ky që jam. Unë do të të jem gjithmonë mirënjohës dhe shpresoj të jem në gjendje t’ju shpërblej brenda dhe jashtë fushës, ashtu siç dëshironit. Faleminderit President”.

Me këtë mesazh në Instagram dhe me foton e presidentit që i vë shiritin e kapitenit në krah, Alessandro Del Piero kujtoi Giampiero Boniperti, i cili u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Klubi bardhezi humbi kësisoj flamurin e madh, legjendën që ia kushtoi tërë jetën Juventusit.