Sport Del Piero shpjegon krizën e Juves dhe largimin e Ronaldos: Allegri më...

Del Piero shpjegon krizën e Juves dhe largimin e Ronaldos: Allegri më pëlqen

Një pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit, ashtu si në sezonin 2015-2016. Atëherë Juventusi gjeti forcën për të bërë rikthimin e bujshëm dhe fituar titullin. Në fakt, ai ishte një ekip ndryshe nga ky aktuali, i freskët nga një Ligë e Kampionëve e humbur finale kundër Barcelonës dhe me siguri më të madhe brenda tij.

Një situatë e bërë edhe më dramatike nga lamtumira e Cristiano Ronaldos në ditët e fundit të merkatos së verës.

I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, Alessandro Del Piero analizoi situatën e Juves.

“Juvja ka lojtarë të vlerave të mëdha, nuk duhet ta konsiderojmë këtë grup tejet negativisht. A nuk ishte Chiesa lojtari më i mirë i Europianit? A nuk është Dybala i njëjti lojtar që dy vite më parë ishte më i miri i Juves që fitoi titullin? Dhe mund të vazhdoj me mbrojtjen Kampione Europe, De Ligt, Locatelli dhe të tjerë. Problemi nuk qëndron cilësia e lojtarëve, por sa po japin. Mund të jetë pikërisht Champions rruga e rikthimit”.

Ronaldo

Unë nuk mendoj se duhet të flasim për mungesë përgatitjeje, por të pajtohemi me realitetin. Padyshim, CR7 nuk donte të qëndronte, ashtu siç dukej se pagimi i mëtejshëm i rrogës së tij kaq të madhe do të kishte qenë i dobishëm. Nëse pyetja i referohet sesi u zëvendësua, unë them se duhet të konkurroni me burime financiare. Personalisht mendoj se ende sulmi i Juventusit mund të jetë shumë konkurrues”.

Sipas ish-kapitenit, skuadra bardhezi nuk përputhej me superyllin Ronaldo. Diçka që u pa mbi të gjitha në Europë: “Ronaldo është një kampion dhe duhej marrë. Problemi, përkundrazi, ishte mungesa e rritjes së ekipit rreth superyllit. Ne shpesh e kemi gjykuar performancën e Cristianos pothuajse të palidhur me atë të Juventusit. Kjo është simptomatikë e diçkaje që nuk funksionoi. Rezultatet në arenën europiane nuk kanë qenë të pritshmet, por nëse mendojmë se City ende nuk ka fituar një Ligë të Kampionëve, e kuptojmë sesi investimet nuk janë gjithmonë sinonime të fitoreve”.

“Allegri ka ide të qarta, por nuk mund të bëjë mrekulli”

Ish-kapiteni bardhezi, Del Piero, thotë se ka besim tek Allegri, të cilin e pret një punë e madhe për ta kthyer Juventusin në pozicionet që i takojnë: “Më pëlqen Allegri, mendoj se ka ide të qarta. Ai nuk mund të bëjë mrekulli, sepse është i pari që e di se problemi i Juves nuk mund të ftillohet vetëm nga udhëzimet teknike. Puna që duhet bërë është e madhe, në dhomat e zhveshjes dhe në fushë”.